Çka dihet deri më tani në lidhje me incidentin e djeshëm në Podujevë? NULL NULL 13.03.2023 14:14 13.03.2023 14:14 Ndeshja mes Llapit dhe Ballkanit dje përfundoi me ekses të madh, pasi tifozët u gjuajtën në mes veti me karrige dhe gjësende të rënda. Kjo përleshje vazhdoi edhe jashtë stadiumit, ku janë dëmtuar tri vetura dhe një autobus, krahas shkatërrimit të ulëseve të stadiumit të Llapit, “Zahir Pajaziti”. Policia e Kosovës në lidhje me këtë bëri të ditur se janë shoqëruar për në stacion 21 tifozë. Në këtë incident nuk mbetën pa u lënduar as tifozë, pasi tre prej tyre kërkuan ndihmë mjekësore, teksa gjithashtu edhe dy zyrtarë policorë pësuan lëndime. “Shoqërohen në stacion policor 21 persona të përfshirë në një incident të ndodhur në Podujevë Me datën 12.03.2023, rreth orës 15:00, në Podujevë, pas një ndeshje futbolli, tifozët e ekipeve janë përleshur duke përdorë/gjuajtur mjete të forta”, thuhet në njoftim. “Si pasojë e përleshjes deri tani është raportuar se janë lënduar 2 zyrtarë policor, të cilët ishin në detyrë, të angazhuar për menaxhimin e situatës. Ndërsa nga ana e tifozëve, deri tani është raportuar për tre të lënduar”. Gjashtë persona janë ndaluar në lidhje me incidentin e djeshëm, pas ndeshjes Llapi-Ballkani. Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila shtoi se në mesin e të ndaluarve është edhe një i mitur. “Me urdhër te Prokurorit te Shtetit janë ndaluar gjashte persona, prej tyre një i mitur, për shkak te veprave penale “Pjesëmarrja ne turme qe kryen vepër penale dhe huliganizëm” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, sipas KPRK-se. Te njëjtit janë dërguar ne mbajtje, derisa për këtë rast janë duke u ndërmarre veprime hetimore ne koordinim me policinë”, ka thënë Ulaj. Klubi i Futbollit, Llapi ka lëshuar një komunikatë në lidhje me incidentin që ndodhi dje mes tifozëve. Llapi sqaroi se nuk kishte përleshje fizike mes tifozëve, meqë dy tifozeritë ishin larg në tribuna. Klubi nga Podujeva gjithashtu potencoi se dëmi i incidentit të djeshëm kalon vlerën e 10 mijë eurove. Llapi shpreson se Federata e Futbollit të Kosovës t’i mbështesë dhe të intervenojnë në rregullimin e ulëseve. “KF Llapi dhe FC Ballkani treguan futboll të mirë, cilësor dhe rivalizues. Ndeshja e djeshme ishte hijeshia e këtij sezoni sa i përket ndeshjes, kurse sa i përket tifozerive të skuadrave gjatë ndeshjes nuk kishte asnjë përleshje fizike mes tifozerisë mes vete sepse nuk kishin mundësi të përballeshin pasi që tifozët tanë ishin vendosur në Veri kurse tifozët mysafir në Jug”, thuhet në njoftim. Llapi pret që personat e identifikuar të marrin dënimin e merituar. “Presim që personat që u identifikuan në incident të marrin dënimin e merituar dhe sa më të lartë që të vedijësohemi një herë e përgjithmonë që mbështetja e skuadrës së zemrës është e pranueshme por pa shkaktuar dëme materiale që prishin imazhin e futbollit”. /Klankosova.tv.