Lajmet e fundit

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka ftuar qytetarët ta lexojnë me vëmendje një paragraf të aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale.
Ajo ka thënë se me të kuptohet se qëllimi është gjykimi i luftës së UÇK-së dhe jo individët.
“Pastaj më thoni se këtu nuk po gjykohet vetë qëllimi i luftës së UÇK-së. Lexojeni edhe një herë dhe mendoni çfarë precedenti mund të krijojë ky arsyetim për mënyrën se si do të shkruhet e interpretohet lufta jonë në të ardhmen. Mos lejoni që mosdurimi i ndaj katër emrave t’ju verbojë. Sepse çështja këtu shkon përtej Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, ka shkruar ajo.
Ajo ka ngritur shqetësimin se si po cilësohet lufta për pavarësinë e Kosovës.
“Nëse lufta kundër atyre që kundërshtonin pavarësinë trajtohet si pjesë e një ndërmarrjeje kriminale, atëherë pyetja nuk është më vetëm se çfarë kanë bërë katër individë. Pyetja është se si po cilësohet vetë lufta për pavarësinë e Kosovës. Dhe kjo është shumë më e madhe se katër emra. Lexojeni. Ftohtë. Pa simpati politike. Pa antipati politike. Pastaj flasim për pasojat.”, ka shkruar ajo.
