Lajmet e fundit

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me qëndrimet e tij për pavarësinë e drejtësisë dhe mbështetjen ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Në një reagim publik, Çitaku ka ngritur si çështje telefonatën mes ish-sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, dhe kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), Karim Khan, për të cilën janë bërë pretendime se gjatë bisedës Khan është përballur me presion lidhur me hetimin për krimet e luftës në Gaza dhe çështjen e urdhërarrestit ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, transmeton Klankosova.tv.
Çitaku ka theksuar se, ndërsa në Kosovë përsëritet vazhdimisht mesazhi se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pavarura dhe se ndërhyrjet në çështjet gjyqësore nuk duhet të lejohen, sipas saj, ambasadori britanik nuk ka reaguar publikisht për rastin që prek drejtpërdrejt një zyrtar të lartë britanik.
“Një muaj para se të kërkohej fletarrestimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kryediplomati britanik David Cameron e kishte telefonuar kryeprokurorin Karim Khan dhe, sipas pretendimeve të këtij të fundit, i kishte bërë presion që Gjykata Penale Ndërkombëtare të mos e ndërmerrte atë hap”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka përmendur edhe konfirmimin e qeverisë britanike për zhvillimin e telefonatës dhe deklaratat e Khanit, sipas të cilit Cameron e kishte kërcënuar me ndërprerje të fondeve dhe me tërheqjen e Britanisë së Madhe nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
“Ambasadori Jonathan Hargreaves nuk ka reaguar publikisht për këtë rast”, ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, kjo heshtje ngre pikëpyetje për standardet e përdorura kur flitet për pavarësinë e drejtësisë.
“Kjo heshtje është e vështirë të mos shihet si standard i dyfishtë dhe si hipokrizi: në Kosovë flitet vazhdimisht për pavarësinë e drejtësisë dhe mosndërhyrjen në çështjet gjyqësore, ndërsa përballë një rasti që prek drejtpërdrejt Britaninë e Madhe, heshtja duket se është zgjedhja e ambasadorit”, ka deklaruar Çitaku.
Deputetja ka thënë se parimi i pavarësisë së drejtësisë duhet të zbatohet në mënyrë të njëjtë, pavarësisht se kush është i përfshirë.
“Nëse drejtësia duhet të jetë e pavarur, e që pajtohem se duhet të jetë, atëherë duhet të jetë e pandikuar dhe e pavarur për të gjithë. Edhe kur bëhet fjalë për ju, zoti ambasador!”, ka thënë Çitaku.