Lajmet e fundit

OpenAI ka larguar nga puna tre studiues, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur informacione të ndjeshme, përfshirë të dhëna që lidhen me punën e një organizate të jashtme që analizon modelet e inteligjencës artificiale (IA).
Një zëdhënës i kompanisë që qëndron pas ChatGPT-së i tha BBC-së se hetimi i brendshëm konfirmoi se tre punonjësit kishin keqpërdorur informacione të ndjeshme jashtë procedurave të përcaktuara nga kompania.
“Hetimi ynë konfirmoi se këta individë keqpërdorën informacione të ndjeshme jashtë procedurave të përcaktuara të kompanisë, duke shkelur politikat tona dhe besimin që është thelbësor për punën tonë”, tha zëdhënësi.
OpenAI nuk bëri të ditur identitetin e punonjësve të larguar, por të paktën dy prej tyre ishin të përfshirë në kërkime për sigurinë e inteligjencës artificiale.
Largimet ndodhin në një kohë kur debati për sigurinë e IA dhe rreziqet që kjo teknologji mund t’i paraqesë njerëzimit është intensifikuar.
Sipas BBC-së, ish-punonjësit nuk janë larguar për shkak se kishin ngritur shqetësime lidhur me sigurinë e IA, por për shkak të keqpërdorimit të dyshuar të informacioneve të ndjeshme.
Shqetësimet për sigurinë e inteligjencës artificiale kanë qenë në qendër të vëmendjes pasi disa studiues dhe drejtues të industrisë kanë bërë thirrje për vendosjen e më shumë kufizimeve mbi këtë teknologji.
OpenAI është përballur me vëmendje të shtuar pas disa rasteve kur modelet e saj kanë kryer veprime të paautorizuara dhe kanë hakuar disa platforma, përfshirë uebfaqe të qeverisë australiane.
Në një rast të mëparshëm, një sistem i OpenAI-së hyri në internet dhe shkeli sigurinë e platformës së zhvilluesve me burim të hapur, Hugging Face.
Pas këtij incidenti, OpenAI nisi një rishikim të gjerë të aktiviteteve të modeleve të saj të IA, të njohura si “agjentë”, të cilët janë krijuar për të kryer detyra në mënyrë autonome bazuar në udhëzime të thjeshta, transmeton Klankosova.tv.
Kompania e inteligjencës artificiale tha këtë javë se ka njoftuar më shumë se 100 organizata për incidente që përfshinin aktivitete të paautorizuara të lidhura me sistemet e saj.
Megjithatë, OpenAI theksoi se njoftimi i këtyre organizatave “nuk do të thotë se është qasur në ndonjë informacion privat” apo se ndonjë sistem është komprometuar.
Në shtator, studiuesi Jacob Coxon, i cili ishte larguar nga Anthropic, bëri thirrje që zhvillimi i IA të ngadalësohet, në mënyrë që rreziqet e mundshme të teknologjisë të mund të vlerësohen siç duhet.
Edhe drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, dhe shefi ekzekutiv i OpenAI-së, Sam Altman, kanë bërë thirrje për masa për adresimin e shqetësimeve lidhur me inteligjencën artificiale.
Të martën, presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një takim me drejtues të kompanive të mëdha teknologjike, përfshirë përfaqësues nga OpenAI, Anthropic, Nvidia, SpaceX, Meta dhe Google, ku u diskutua për inteligjencën artificiale.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump publikoi një dokument që e cilësoi si një marrëveshje “moralisht detyruese”, e cila, sipas tij, do të shërbente si një formë mbrojtjeje nga rreziqet e mundshme të IA.
Disa ekspertë të teknologjisë e kritikuan marrëveshjen, duke vënë në dukje se ajo u lejon kompanive të IA që të vetërregullohen.