Lajmet e fundit

Sean “Diddy” Combs dyshohet se po përfiton nga një trajtim i pazakontë gjatë qëndrimit në burg, me pretendime se ka akses në celular, alkool dhe shërbime të veçanta nga të burgosur të tjerë.
Sipas NBC News, katër persona që kanë qëndruar në të njëjtin sektor me të kanë deklaruar se të burgosur të tjerë gatuajnë, pastrojnë dhe madje i bëjnë masazh 56-vjeçarit.
“Gjëra të tilla nuk janë normale në burg. Janë privilegje që zakonisht lidhen me njerëzit e pasur. Duket e pabesueshme, por bëhet fjalë për Diddy-n”, ka deklaruar një prej tyre.
Sipas dëshmive, Combs dyshohet se konsumon edhe ushqime që nuk janë pjesë e menusë standarde të burgut. Po ashtu, pretendohet se alkooli futet në mënyrë të paligjshme në ambientet e burgut, me ndihmën e disa punonjësve.
“Po, sigurisht që kam pirë me të”, ka deklaruar një prej të burgosurve.
Përfaqësuesi i Diddy-t i ka mohuar këto pretendime, duke argumentuar se mediat po e paraqesin rutinën e zakonshme të një të burgosuri si diçka të jashtëzakonshme. Sipas tij, “i vetmi lajm i vërtetë” është se Diddy po e vuan dënimin sipas rregullave dhe po pret vendimin e gjykatës lidhur me apelin e tij.
Ndërkohë, Shërbimi Federal i Burgjeve në SHBA nuk ka komentuar konkretisht akuzat, por ka pranuar se futja e sendeve të ndaluara, përfshirë celularët dhe drogën, vazhdon të jetë një problem në burgjet federale.
Diddy po vuan një dënim prej 50 muajsh dhe, sipas të dhënave aktuale, lirimi i tij pritet më 21 janar 2028.