Lajmet e fundit

Galeria e Arteve në Pejë, sonte nga ora 19:00 hap dyert për ekspozitën personale të artistit dhe profesorit Dardan Luta, e titulluar “Çarjet e qytetit të tij”.
Dardan Luta, i njohur edhe për punën e tij si strip-vizatues dhe si ilustrues i librit grafik “The Long Winter of 1945 – Tivar”, këtë herë rikthehet te Peja përmes një cikli artistik që sjell në fokus qytetin, kujtesën dhe raportin personal me hapësirën ku është rritur. Përmes veprave të ekspozuara, publiku mund të shoh fragmente të Pejës, qytetit rrëzë Rugovës, të parë përmes një këndvështrimi intim dhe artistik.
“Çarjet e qytetit të tij” mund të lexohet edhe si një formë dashurie për qytetin – një përpjekje për ta parë atë përtej imazhit të zakonshëm, përmes detajeve, gjurmëve dhe ndjesive që lidhen me kujtesën personale. Ekspozita sjell një dialog mes artistit dhe vendlindjes së tij, duke e shndërruar qytetin në subjekt, kujtim dhe hapësirë emocionale.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 11 shtator 2026. /Klankosova.tv.