Lajmet e fundit

Opinionisti Blerim Canaj, tha se është e pakëndshme nëse edhe me situatën aktuale me procesin në Hagë bëhet lojë politike.
Ai tha se për shkak të një ligji si ky aktuali për Dhomat e Specializuara, mund të rishkruhet historia për Kosovën.
“Për shkak të një ligji i cili është ai që është [për Specialen], mund të na rishkruhet historia. Dhe tani, në qoftë se ne i shohim mediat botërore, e vërejmë edhe se si ka filluar të futet në luhatje ajo se si ne e kemi parë dhe si është parë edhe më herët Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Canaj në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Do të thotë, nuk ka të bëjë me individët këtu, por ka të bëjë me një mekanizëm i cili është baza e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Dhe tani të vihesh në atë pikë që ti të thuash, ‘Unë e votoj ligjin’ apo ‘E përkrah ligjin në qoftë se e përkrahni presidentin’, mua më duket goxha e pakëndshme, po e quaj kështu, madje shumë e pakëndshme”.
“Mendoj që është goxha e pakëndshme edhe në qoftë se, me një ligj të tillë, tentohet që të fitohet votë. Ju them të drejtën, kjo do të duhej të ishte shumë normale për secilin deputet të Republikës së Kosovës që ta shtyjë dhe ta votojë këtë ligj. Madje, nuk do të duhej as të kishte diskutim për një çështje të tillë”.
“Mirëpo, ja që te ne edhe me jetën e njerëzve bëhet politikë, e lëre më me diçka që ka rëndësi etike e shtetërore”.