Lajmet e fundit

Edon Zhegrova po kalon një periudhë pozitive dhe paraqitjet e tij të fundit kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave sportive në Itali. Sulmuesi kosovar është bërë pjesë e analizës së mediumit të njohur “Calciomercato”, i cili ka vënë në pah formën e tij me Juventusin dhe Përfaqësuesen e Kosovës.
Zhegrova u inkuadrua në pjesën e dytë në ndeshjen ndaj Austrisë, të cilën Kosova e humbi me rezultat 3:1. Megjithatë, ai arriti të shënonte golin e vetëm për “Dardanët”, duke realizuar nga pika e bardhë, transmeton Klankosova.tv.
Sipas “Calciomercato”, ky ishte goli i tretë i Zhegrovës në gjashtë paraqitjet e para të këtij sezoni, ndërsa në llogarinë e tij figuron edhe një asistim.
Mediumi italian e konsideron këtë formë si një sinjal për trajnerin e Juventusit, Luciano Spalletti, i cili, sipas tyre, sezonin e kaluar nuk arriti të kishte në dispozicion versionin më të mirë të futbollistit kosovar, transmeton Klankosova.tv.
Zhegrova pritet të ketë konkurrencë për një vend në formacionin bazë të Juventusit, veçanërisht me Francisco Conceicaon. Në skemën 4-2-3-1 të preferuar nga Spalletti, futbollisti kosovar shihet si një nga opsionet për krahun e djathtë të repartit ofensiv.
Megjithatë, për momentin vëmendja e Zhegrovës është e përqendruar te Përfaqësuesja e Kosovës. “Dardanët” do të përballen të enjten me Izraelin në Hungari, në një tjetër ndeshje ku sulmuesi kosovar pritet të jetë një nga lojtarët kryesorë të ekipit.