Lajmet e fundit

Pasi pala mbrojtëse e krerëve të UÇK-së ka paralajmëruar ankesën ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, kryetarja e Dhomave të Specializuara ka caktuar panelin e Gjykatës së Apelit, i cili përbëhet nga treshja: Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.
Lidhur me këtë përbërje dhe pritshmëritë nga shkalla e dytë, avokati Ardian Bajraktari, i cili po e përcjell nga afër procesin në Hagë, ka dhënë një analizë të detajuar në "Edicionin Special" në Klan Kosova.
Sipas Bajraktarit, këta tre gjyqtarë janë mjaft të familjarizuar me proceset e Dhomave të Specializuara, pasi kanë trajtuar edhe lëndët e mëparshme ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës. Për më tepër, ai theksoi profilin doktrinor të gjyqtarit gjerman Kai Ambos.
Njëri prej tyre, së paku me aq sa arrita me e parë edhe në të dhënat e qasshme në internet, ka edhe pikëpamje të natyrës doktrinore për sa i përket çështjes së përgjegjësisë komanduese dhe strukturës komanduese, është Ambos ai gjyqtar," tha Bajraktari.
Avokati vlerëson se sfida e parë për këtë trup gjykues është vendimmarrja mbi kërkesën procedurale të mbrojtjes për zgjatjen e afateve.
Ai nënvizoi gjithashtu se rregullorja u mundëson palëve të paraqesin edhe prova shtesë për t'i kundërshtuar konstatimet specifike të shkallës së parë./Klankosova.tv