Cakaj për dialogun Kosovë-Serbi: Shkëmbimi i territoreve s'ofron zgjidhje, ka nevojë për dialog social - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Cakaj për dialogun Kosovë-Serbi: Shkëmbimi i territoreve s’ofron zgjidhje, ka nevojë për dialog social

NULL NULL
10/04/2018

Filozofi dhe studiuesi Gent Cakaj ka vlerësuar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet në një dinamikë divergjente në vend se këto dy vende të kishin qëndrimet e përafruara.

“Serbia po vepron për distancim me politikën e saj të jashtme. Kemi takimin e Vuçiq me Presidentin e Rumanisë apo me autoritetet përfaqësuese të Spanjës që kanë deklaruar se edhe në qoftë se Serbia e njeh Kosovën ne nuk e njohim”

“Serbia gjithashtu ka plan agresiv për revokimin e njohjeve ndërkombëtare, kjo vërehet me rastin e Surinamit, Burundi … etj. Ka indikacione për tërheqjen e njohjeve ndërkombëtare. Gjithashtu është edhe valorizimi maksimal i raporteve të tyre me Rusinë”

Cakaj ka vlerësuar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ndikon vetëm në marrëdhëniet në mes të këtyre dy shteteve mirëpo edhe me pretendimet e tyre evropiane.

“Aktualisht dialogu nuk është pasqyrë e raporteve të Serbisë dhe Kosovës me njëra tjetrën, por edhe e marrëdhënieve të tyre me BE-në. Serbia duhet ta përmbylle kapitullin 35-të. Në anën tjetër Kosova ka nevojë të ndërtojë një kualitet të ri të marrëdhënieve me pesë shtetet anëtare që nuk e kanë njohur”

“Kosova dhe Serbia duhet të kenë një modalitet final të përmbylljes së raporteve të tyre në mënyrë që Kosova të ketë mundësi të kapitalizmin dhe të përmbylljes së agjendës se konsolidimit të shtetit”

Sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve, në intervistën në Zona B Gent Cakaj ka pohuar se një gjë e tillë nuk do të ofronte zgjidhje.

“Shkëmbimi territorial do të prodhojë më shumë probleme se sa që mund të jetë një zgjidhje. Ky është më shumë një skenar që qarkullon në publik se sa që ka gjasë të futet në agjendën e dialogut. Një qasje e tillë nuk mund të interpretohet në mënyrë mekanike, ka asete natyrore, mund të ketë probleme me zhvendosjen e popullsisë, pamundësia e sigurimit të konsensusit universal të dy shteteve si dhe reagimi ndaj kërkesave etnike”

Cakaj gjithashtu ka potencuar edhe rënsësinë e zhvillimit të dialogut social me serbët e Kosovës.

“Dialogu intensiv me serbët e Kosovës është i nevojshëm. Ne kemi probleme jo vetëm me serbët por edhe me Serbinë, në këtë kuptim dialogu diplomatik nuk mund të zëvendësohet me dialogun social”.

“Ndërlidhurazi e kemi edhe çështjen e pajtimit ndëretnik. Serbia duke  mos e njohur Kosovën ka instrumentalizuar një pjesë të serbëve të Kosovës. Kjo ka zbehur prospektin e pajtimit ndëretnik. Mungesa e njohjes së ndërsjellë mund të ketë efekte negative. Shumica nuk kërkojnë njohjen e statusit të viktimës por kërkojnë edhe njohjen e kauzës historike, andaj mund të ketë efekt negativ afatgjatë” njofton Klan Kosova.