19:35, 15 Prill 2019

Kanë kaluar dy muaj prej kur Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u nuk po arrijnë të gjejnë një konsensus për zëvendësimin e orëve të humbura në grevën trejavëshe të mësimdhënësve.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se vendimi që ai e ka marrë për kompensimin e orëve të humbura është vendim i drejtë ligjor.

“Ne kemi qenë të obliguar, sipas përgjegjësive që i kemi si Ministri e Arsimit, që ta mbrojmë të drejtën e nxënësve tanë për edukim, sepse këtë ua garanton edhe Kushtetuta. Konsideroj se vendimet tona kanë qenë mbi bazën e të drejtës kryesore të sistemit arsimor që janë fëmijët”.

“Pas vendimit të drejtë dhe ligjor që e morëm, u krijuan palët që e kundërshtuan një gjë të tillë, si SBASHK-u, dhe kështu u bë një temë e përditshme”.

“Ne ishim të gatshëm në çdo moment që kushdo që ofronte një alternativë më të mirë që nxënësit të mos dëmtoheshin t’i dëgjonim dhe të bashkëpunojmë që të arrinim një marrëveshje që nuk do ta dëmtonte sistemin arsimor”.

“Në asnjë moment nuk kishte kompromis nga ana jonë nëse përfundimi i marrëveshjes mund të çonte në dëmtimin e sistemit arsimor”.

“SBASHK-u, si duket, më shumë kishte qëllim mosrealizimin e një marrëveshjeje sesa që kishte qëllim për të gjetur një zgjidhje”.

“Në shumë çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me mësimdhënësit tanë dhe sistemin arsimor, ne kemi pasë bashkëpunim të jashtëzakonshëm me SBASHK-un dhe kemi qenë në shumicën e kohës krah tyre”.

Bytyqi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se të gjitha çështjet mund të rregullohen, por dëmi që mund t’i shkaktohet nxënësve mund të jetë i pariparueshëm.

“Mendoj që çdokush që ka qëllim që mund t’i dëmtojë fëmijët është gabim, sepse të tjerat mund të rregullohen dhe kompensohen, por dëmi që mund t’i shkaktohet sot fëmijëve nuk mund të kompensohet”.

“Nëse vazhdohet me pengesa, atëherë normalisht që fëmijët do të dëmtohen”.

“Ne i bëjmë thirrje SBASHK-ut që – pavarësisht që nuk ishte pjesë e dëshirës për të gjetur kompromis – të mos bëhen pengesë e realizimit të një të drejte të fëmijëve. Mund të heshtin, mos të pajtohen fare me këtë, ose mund të kërkojnë forma të tjera nëse mendojnë se ne kemi marrë vendime të gabuara dhe joligjore”.

“Mund të kërkojnë forma të të drejtës së tyre, por në asnjë mënyrë nuk duhet t’i pengojnë fëmijët tanë”.

“Në takimin që sot patëm më DKA-të [Drejtoritë Komunale të Arsimit] e gjetëm një pajtueshmëri të përgjithshme që të zbatohet udhëzimi administrativ për vitin kalendarik që është në fuqi”.

“I mbetet secilës drejtori komunale që të gjejë formën më të mirë të kompensimit, ose minimizimit të dëmit, që i është shkaktuar nxënësve”.

“SBASHK-u nuk ishte i interesuar të jetë pjesë e gjetjes së zgjidhjes së problemit”.

Ministri i Arsimit ka thënë se kushtet e SBASHK-ut për kompensimin e orëve të humbura janë reale, por të parealizueshme në këtë moment kohor.

“Kushtet e tyre që janë prezantuar në Grupin Punues dhe në Komisionin Parlamentar janë kushte reale, por nuk janë kushtëzime për mbajtjen e mësimit sepse janë dy gjëra të ndara”.

“Kërkesat e tyre nuk mund të zgjidhen në një afat të shkurtër kohor, derisa për kompensimin e orëve i kemi ditët e numëruara”.

“Ne i kishim dhënë hapësirë një javë ditë që SBASHK-u të reflektojë dhe të vijë më oferta konkrete që janë të realizueshme, por jo të vijë me kërkesa që nuk janë reale dhe nuk janë të realizueshme në kohë”.

“Derisa vet deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin zotuar publikisht që do të marrin hapa konkretë për ndryshimin e Ligjit për Pagat dhe Ministria e Arsimit ishte pajtuar që t’i përkrahë deputetët, ishte tejet e mjaftueshme që SBASHK-u të reflektonte dhe të vinte me ofertë reale për të mirën e nxënësve tanë dhe jo me kushtëzime”.

“SBASHK-u e di se kjo kërkesë nuk mund të realizohet brenda një jave, dy javëve, apo një muaji. Vet zotimi i Parlamentit dhe Ministrisë do të ishte i arsyeshëm që të hapë mundësi reale të diskutimit”.

“Po ta luante rolin e vet SBASHK-u nuk duhet të vinte me kushte për kompensimin e orëve”.

“Çështja e orëve të humbura është tjetër – orët duhet të kompensohen dhe nuk guxojmë t’i lëmë të dëmtohen nxënësit”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë