Lajmet e fundit

Një operacion i ri është zhvilluar në kuadër të hetimit për përfitime të jashtëligjshme të pasurisë, ku ndaj 34 personave janë lëshuar urdhër-arreste.
Ministri turk i Drejtësisë, Akın Gürlek, njoftoi se bëhet fjalë për valën e pestë të operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Stambollit, në kuadër të hetimeve të kryera nga Byroja për Hetimin e Pastrimit të Parave.
Sipas Gürlekut, deri më tani në kuadër të hetimeve janë marrë masa ndaj 217 të dyshuarve, raporton CNN Turk, transmeton Klankosova.tv
Prej tyre, 56 janë arrestuar, ndërsa ndaj 88 të tjerëve është vendosur masa e kontrollit gjyqësor.
Hetimi nuk është i kufizuar vetëm te fondet dhe personat e dyshuar të përfshirë deri më tani. Autoritetet po shqyrtojnë në detaje lëvizjet e 26 aksioneve, të cilat dyshohet se janë përdorur në transaksione spekulative dhe manipulative.
Po ashtu, po hetohen historiku i transaksioneve, lëvizjet e parave dhe lidhjet e personave dhe llogarive që kanë realizuar fitime në përmasa të pazakonta brenda një periudhe të shkurtër.
Gürlek tha se personat që përpiqen të sigurojnë përfitime të kundërligjshme përmes manipulimit të tregjeve, duke prekur kursimet e qytetarëve, do të hetohen deri në fund.
Sipas tij, pasuritë që konstatohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale do t’i nënshtrohen procedurave ligjore për transferimin e tyre në një fond që do të krijohet në kuadër të TMSF-së, institucionit turk për sigurimin e depozitave dhe administrimin e fondeve. /Klankosova.tv