21:39, 11 Gusht 2019

Bullgaria është shpallur kampione e Kampionatit Europian, Divizioni B për femra U20, që për tetë ditë me radhë wshtw mbajtur në Prishtinë.

12 kombëtare luftuan nga fillimi, derisa në fund ishin vashat bullgare ato që triumfuan, duke mundur në finale Finlandën në një ndeshje të jashtëzakonshme me rezultat 80:75, njofton Klan Kosova.

Finlanda e filloi mirë ndeshjen, por më pas Bullgaria u rikthye, derisa në momentet vendimtare ishte më e suksesshme dhe fitoi Europianin në Prishtinë.

Kjo ishte hera e parë që një Europian i Divizionit B u mbajt në Prishtinë dhe u organizua për mrekulli nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Në ceremoninë mbyllëse janë shpallur edhe më të mirët e Evropianit: Lotta Vehka-aho nga Finlanda, Holly Winterburn nga Britania e Madhe, Karina Konstatinova nga Bullgaria, Claire Melia nga Irlanda dhe Aëak Kuier nga Finlanda.

Lotta Vehka-aho nga Finlanda u shpall MVP i Evropianit, derisa çmimin ia dorëzoi Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

Medaljet për skuadrën fituese i kanë ndarë kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe Wilfred Gintschel nga FIBA. Ky i fundit ka dhënë trofeun për kapitenen e Bullgarisë.

Vendi i tretë i ka takuar Irlandës, që në një ndeshje fantastike ka mundur Britaninë e Madhe me rezultat 60:57. Irlandezet kishin edhe 20 pikë epërsi, por vashat e Britanisë së Madhe kanë luftuar deri në fund, edhe pse nuk arritën që të sigurojnë vendin e tretë, që njëkohësisht siguron edhe një vend në Divizionin A.

Izraeli u rendit në vendin e pestë, pasi mundi Kroacinë 70:61, kurse Turqia u rendit në vendin e shtatë, duke mundur Rumaninë me rezultat 86:56.

Në grupin e fundit për vendet 9-12, Ukraina e ka mundur Islandën 61:47, derisa Kosova ka pësuar nga Greqia 55:79. Ukraina u rendit e nënta, Islanda e dhjeta, Greqia e 11-ta dhe Kosova e 12-ta.

Ky Evropian ka qenë një përvojë shumë e mirë për vashat e Kosovës, që kanë një moshë mesatare 17-vjeç, derisa gjithashtu për herë të parë Kosova U20 mori pjesë në një ngjarje madhore.

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë