17:07, 20 Maj 2019

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, pas takimit koordinues që u mbajt në Tiranë me Qeverinë e Kosovës, tha se janë duke punuar për krijimin e një hapësire ekonomike që rrit mirëqenien e qytetarëve të dy vendeve.

“Për secilën çështje për të cilat jemi marrë vesh më herët e kanë afat të fundit qershorin. Kemi verifikuar një pjesë të problematikave që tanimë janë zgjidhur, por kemi diskutuar edhe problematikat ekonomike që ende janë prezente”.

“Ne do të duhet të përballemi me seiclën nga këto probleme javët në vijim, sidomos me ato që lidhen me lehtësitë e njerëzve dhe mallrave”.

Ai tha se do të punojnë për të ndërtuar hapësirat ekonomike që ju jep mundësi qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë në rritjen e mirëqenies në këtë hapësirë të përbashkët.

“Kemi trashëguar probleme që lidhet drejtëpërdrejt me trajtimin e operatorëve ekonomikë në portin e Durrësit dhe pikën e Morinës, është historia e vjetër që e kemi diskutuar e që lidhet me kontratat koncesionare të skanimit të mjeteve në pikat hyrëse. Duhet të përballemi me ato që ka shkaktuar kjo kontratë dhe të përballemi me të”.

Ai tha se duhet vullnet politik edhe nga Kosova edhe nga Shqipëria për të çuar deri në fund problemin me këtë kontratë.

Braçe foli edhe për problemin e energjisë mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se janë duke u bërë punime në këtë drejtim.

“Kjo problematikë buron nga insistimi i Serbisë dhe do të na duhet edhe atje që të forcojmë përpjekjen tonë që përfundimisht të çlirojmë këtë korridor për energji”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë