Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Botohet monografia “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën”

NULL NULL
02.12.2023 15:08
gazmend zajmi

Aspektet e rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë arsimore, juridike-kushtetuese, politike, shkencore e kulturore në shërbim të Kosovës janë përmbledhur në monografinë me titull “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën”.

Monografia është realizuar pas punës më se 3 vjeçare të autorit Nuhi Bytyçi.

Në 504 faqe dhe në 23 kapituj të ndarë sipas tematikave dhe ngjarjeve historike, në mënyrë analitike, hulumtuese e shkencore është përfshirë e tërë veprimtaria dhe kontributi i intelektualit të përmasave botërore Akademik Prof. Dr. Gazmend Zajmit.

Sipas autorit, në libër argumentohet angazhimi i tij si ligjërues-profesor i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, roli dhe kontributi i tij në periudhën kur ai ishte Sekretar i Kuvendit të Kosovës, pikërisht në periudhën kur hartohej Kushtetuta e parë e Kosovës, ajo e vitit 1974.

Autori Bytyçi ka thënë se një hapësirë të veçantë në këtë monografi zë edhe qëndrimi i Gazmend Zajmit si rektor i Universitetit të Prishtinës rreth kërkesave të studentëve dhe të popullit shqiptar të Kosovës në demonstratat e njohura të pranverës së vitit 1981 në Prishtinë.

Po ashtu, në monografi përmendet edhe angazhimi profesional i Akademik Zajmit si profesor dhe si ekspert i sistemit politik dhe kushtetues në hartimin e tekstit të Apelit të 115 intelektualëve shqiptarë kundër masave represive dhe terrorit shtetëror serb mbi shqiptarët në Kosovë.

Monografia “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën” iu ofron lexuesve edhe fjalën ekskluzive të ish-kryetarit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve Felix Unger për Gazmend Zajmin, por edhe si e kanë vlerësuar veprën e Gazmend Zajmit intelektualët Fehmi Agani, Esat Stavileci, Arsim Bajrami, Gjyljeta Mushkolaj, Kadri Kryeziu, Ali Aliu, Feriz Krasniqi, Rexhep Ismajli, Ilaz Ramajli, Abdullah Karjagdiu, Yll Zajmi, Ekrem Murtezai, Ismet Salihu, Halil Turku, Osman Kraja, Rexhep Osmani, Riza Demaj, Zenun Çelaj, Salih Maqedonci, Qerim Gashi, Ismet Bogujevci, Nezanin Kuçani – Çeku, Semahate Kuçani-Mashkulli, Ismail Syla, Zeqirja Ballata, Engjëll Berisha dhe intelektualë tjerë.

Monografia mund të gjendet në libraritë e Prishtinës dhe të qyteteve kryesore të Kosovës. Lexuesit me blerjen e librit, do ta kenë dhuratë DVD-në e filmit dokumentar “GAZMEND ZAJMI – PROJEKTUES I SUBJEKTIVITETIT SHTETËROR TË KOSOVËS”.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.