Bosnjëzimi i Kosovës përmes Asociacionit? BE-ja: Tejet spekulative, ne s’urdhërojmë

Bosnjëzimi i Kosovës përmes Asociacionit? BE-ja: Tejet spekulative, ne s’urdhërojmë

NULL NULL
nga Alma Baxhaku 1 muaj më parë

Këmbëngulja e Serbisë për krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive që do të shkelte Kushtetutën e Kosovës dhe do të ndërronte sistemin shtetëror në Kosovë nxiti reagime.

Në fakt, në këtë pikë po ngec sërish dialogu i rifilluar pas më shumë se 20 muajsh mes Kosovës dhe Serbisë, njofton Klan Kosova.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, pak ditë më parë tha se kërcënimet për “akomodimin e të ashtuquajturës “Republika e Dodikut” në Kosovë do të dështojnë” dhe këtë çështje e konsideroi si rikthim në temën e ndryshimit të kufijve.

Por, këtë gjë BE-ja po e kundërshton duke e quajtur edhe tejet spekulative derisa thotë se nuk imponon ndonjë sistem shtetëror të tillë në Kosovë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për portalin “Klan Kosova” se BE-ja e ka në synim ndihmën e shteteve të Ballkanit Perëndimor që t’i integrojë në familjen e vet.

“Kjo është shumë spekulative. BE-ja nuk po urdhëron, lejon ose ndalon partnerët në rajon për asgjë. BE-ja i ndihmon dhe asiston ata të arrijnë objektivin e tyre të deklaruar që është integrimi në BE. Në këtë kontekst, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare presin dhe ua përkujtojnë partnerëve në Ballkanin Perëndimor që ata duhet të përmbushin zotimet e tyre dhe detyrimet ndërkombëtare dhe të veprojnë në përputhje me ambiciet e tyre për t’u bashkuar përfundimisht në Bashkimin Europian”.

Një modeli të tillë ia ka frikën edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Madje, ajo e ka paralajmëruar edhe emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se Kuvendi nuk do të ratifikojë një marrëveshje përfundimtare që lejon bosnjëzimin e Kosovës.

Pas instistimit të Serbisë për Asociacionin në dialog, kryeministri Avdullah Hoti, po zotohet se kjo temë është mbyllur në vitin 2015 dhe se nuk do të rihapet.