18:20, 16 Maj 2019

Kuvendi i Kosovës sot është duke mbajtur seancë plenare ku është duke u shqyrtuar Propozim-Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë.

Veç kësaj në mesin e pikave të rendit të ditës së seancës së sotme është edhe ajo për formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet dhe gjenocidin serb kryer ndaj shqiptarëve, njofton Klan Kosova.

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, gjatë fjalimit të saj në këtë seancë tha se deputetët nuk mund të merren me hulumtime të krimeve të luftës.

“Ne si deputet nuk mund të merremi me hulumtime të krimeve të luftës. Nuk e kemi atë ekspertizë, asnjëri prej nesh”.

“As nuk e ka shoqëria civile dhe as nuk e kanë familjarët. Duhet institucion që merret specifikisht vetëm me këtë çështje; që e bënë dokumentimin dhe e bënë arkivimin. Nëse nuk e kemi bërë deri më sot, ta bëjmë tani. Duhet të fuqizohen institucionet e vendit”.

“E kam përmend edhe herëve të tjera: policia, prokuroria nuk mund të funksionojnë me një prokuror që përveç se me krime të luftës merret edhe me çështje të tjera. Nëse i fuqizojmë institucionet tona për këtë çështje, atëherë mund të themi se kemi bërë një punë. Atëherë mund të llogarisim edhe në mbështetje prej jashtë, qoftë për gjykatë vendore për krime të luftës, qoftë për Tribunal”.

Ajo më tej tha se nuk ka pasë asnjëherë mbështetjen e vendit të saj për proveset gjyqësore që ka kaluar gjatë 20 viteve.

“Kam kaluar nëpër procese gjyqësore për 20 vite. Asnjëherë nuk e kam pasë përkrahjen e vendit tim. E kam pasë përkrahjen e një vendi tjetër.

“Unë dua që vendi im të jetë krahë i familjeve që nuk i kanë mundësitë që i kam pasë une”, tha Bogujevci.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë