Blushi, kritika të forta qeverisë: Dihet kush i futi kriminelët në Kuvend NULL NULL 27.04.2015 17:04 27.04.2015 17:04 Pak ditë pasi bëri akuza të forta për mënyrën se si po qeverisë e majta, Deputeti socialist, Ben Blushi, është rikthyer të shpjegojë rezervat që ka ndaj qeverisë. Në një shkrim të botuar në gazetën “Panorama”, drejtuar një socialisti që e pyet se përse ai flet me kritika ndaj qeverisë, ai i përgjigjet duke renditur mbi 100 pyetje dhe duke nënvizuar që në fillim, se për gjendjen ku ndodhet vendi, nuk është fajtore pasqyra që tregon realitetin, por fytyra e këtij realiteti. Në një prej kritikave të tij më të ashpra deri tani, të parin shqetësim ai ka mosrespektimin e rregullave brenda partisë, nga ku nis e gjithë filozofia e marrjes së vendimeve nga një person i vetëm. A e di se qysh se kemi ardhur në pushtet, në Partinë Socialiste nuk ka më zgjedhje? A e di se kryetari i partisë ka një mandat unik gjashtë vjeçar, ndërkohë që sipas rregullit mandati duhet të ishte katër vjet? A e di se pse i janë shtuar edhe dy vjet? A di gjë se kush dhe pse vendosi kështu? A e di se edhe në kohën e Partisë së Punës zgjedhjet bëheshin një herë në katër vjet?… A e di se çdo vendim që merret në Partinë Socialiste, nuk është më kolegjial, por vetëm personal? Akuzën më të fortë e bën për futjen e qëllimshme të personave të inkriminuar në parlament dhe blerjen e votave. A e di se kush është futur në Parlamentin e Shqipërisë? A e di se shqiptarët mendojnë se në Parlament mund të hysh vetëm nëse vret, nëse vjedh, nëse je i pashkollë apo nëse je i pasur?… A e di kush i futi vrasësit në Parlament? A e di pse i futi? A e di që e dinte kur i futi? A e di që partitë e atyre që vranë janë ende në aleancë me ne? A e di që, nëse duhet të kandidosh për deputet apo kryetar bashkie, pyetja e parë që bëhet është sa lekë ke? Sa vota do blesh? Sa të varfër do ushqesh me miell dhe vaj ditën e zgjedhjeve? A e di që të pasurit vetëm zgjidhen kurse të varfrit vetëm zgjedhin? A e di se kjo ndodh vetëm me parlamentet e atyre vendeve, partitë e të cilave nuk bëjnë zgjedhje? A e di se po të jesh deputet, mund t’i kalosh policisë me një trafikant në makinë, ndërsa po të jesh i varfër nuk të presin sa ta paguash faturën minimale se përfundon në burg? A ke parë ndonjë të pasur në burgjet tona? Një shqetësim për Blushin mbetet gjendja ekonomike që ka sjelle për pasojë edhe largimin e qytetarëve. A di se ne erdhëm në pushtet duke premtuar 300 mijë vende pune? A e di se sipas shifrave zyrtare papunësia është shtuar me 7 për qind? A e di se Shqipëria po zvogëlohet? A e di se çdo ditë nga Shqipëria ikën një lagje? A e di se çdo muaj zhduket një fshat? … A e di se këta njerëz ikin nga Shqipëria se nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura, nuk kanë shërbimet e duhura? A e di se Shqipëria po shpopullohet nga të varfrit dhe kjo, përveçse cinike, është tragjike? A e di se kemi një qeveri të papërgjegjshme, e cila ende nuk i ka bërë thirrje kujt të mos largohet nga Shqipëria, por me pabesi thotë se fajin për eksodin e kanë qeveritë e Europës, që marrin emigrantë për të përballuar nevojat e tregut të tyre të punës? Deputeti socialist rendit dhjetëra premtime të karakterit ekonomik, që sipas tij, nuk janë mbajtur duke nënvizuar, uljen e taksave, çmimin e energjisë, çmimin e karburantit, mbështetjen për shtresat në nevojë, që sipas Blushit, janë lënë mënjanë. A e di se të varfrit sot marrin më pak ndihmë nga shteti i tyre? A e di se numri i atyre që marrin asistencë sociale është reduktuar me 30 për qind? A e di ku kanë shkuar tepricat e këtij kursimi? A e di se këto kursime kanë shkuar për të trukuar fytyrën në mënyrë që të gënjejnë pasqyrën?… A e di ti se pudra e fytyrës kushton më shumë se e vërteta e pasqyrës? Blushi përmend edhe koalicionin e gjerë me të cilin qeveria hyn në këto zgjedhje dhe që sipas tij, e ka kthyer administratën në një plaçkë për t’u ndarë. A e di që kemi marrë në koalicion të gjitha partitë që ishin në qeveri deri në qershorin e kaluar? A e di se administrata publike është një plaçkë që ndahet çdo ditë mes partive dhe prandaj kemi administratën më të degraduar dhe më mediokre të Europës? A e di, i dashur mik, se të gjitha sa thashë janë vendime personale? A e di se askush nuk është pyetur për sa më sipër, por përkundrazi, të gjithë janë detyruar të mbrojnë fytyrën për të ndëshkuar pasqyrën? Por të gjitha këto kritika të Deputetit socialist nuk janë komentuar nga kolegët e tij të Grupit Parlamentar, të cilët, pavarësisht interesit të medias, pas mbledhjes së zhvilluar në selinë rozë nuk pranuan të bëjnë komente. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Avokati i qytetarit që u rrah nga polici: Gjendjen e ka të rëndë, ka pësuar fraktura 16/06/2025
Kosova “Edhe kuzhinierët na kanë rrahë”, si u torturuan shqiptarët në Masakrën e Dubravës? (VIDEO) 16/06/2025
Lajme Irani i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Izraeli po kërcënon sigurinë globale 16/06/2025