Bllokada vë në rrezik liberalizimn e vizave - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Bllokada vë në rrezik liberalizimn e vizave

NULL NULL
06/10/2015

Vazhdimi i bllokadës së punës në Kuvendin e Kosovës mund të ketë efekte negative në procesin e liberalizimit të vizave. Kështu të paktën deklarojnë përfaqësues të qeverisë dhe shumicës në parlament.

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Ramadan Ilazi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është krejt normale që opozita të kritikojë qeverinë, mirëpo veprimet duhet të bëhen në kuadër të procedurave demokratike.

Sipas tij, integrimi evropian i Kosovës është një proces që gëzon përkrahje të gjerë politikë dhe qytetare, kështu që suksesi i tij do të varet nga bashkëpunimi dhe funksionimi i të gjitha institucioneve.

“Kosova do avancojë në procesin e integrimit vetëm përmes një bashkëpunimi midis të gjithë institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve, sepse të gjithë kemi një përgjegjësi në këtë proces. Kuptohet sa i përket çështjeve legjislative, Kuvendi ka një rol të veçanti për të nxjerrë ligjet që dalin nga agjenda evropiane”, ka theksuar Ilazi.

Aktualisht, ka disa ligje që presin procedimin nga Qeveria për në Kuvend për miratim. Në mesin e tyre, është edhe ai për Prokurimin Publik, të cilin Komisioni Evropian e kishte vënë si një prej kritereve edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci thotë se bllokada po e rrezikon procesin e liberalizimit të vizave, i cili sipas parashikimeve të qeverisë pritej të përmbyllej në vitin 2016.

“Këto ligje, një numër rej tyre janë shumë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me liberalizimin e vizave. Prandaj janë disa kritere, disa detyra që ne duhet t’i kryejmë që t’i paraprijmë procesit, ta lehtësojmë dhe ta përshpejtojmë procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Grabovci.

Në anën tjetër, opozita tregohet e vendosur se nuk do të lejoj vazhdimin e seancave të Kuvendit të Kosovës, duke përdorur edhe pengimin fizik të foltores dhe mikrofonit në Kuvend siç ka vepruar tashmë në tri seanca.

Kjo bllokadë, thuhet se do të vazhdojë përderisa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa të mos i tërheq nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se opozita ka qëndrim unik që zgjidhja nuk është tek pakica, por partitë e koalicionit qeverisës.

“Normaliteti në Kuvend dhe normaliteti në vend është në duart e partive në pushtet dhe jo në duart e opozitës. Opozita nuk është ajo e cila po e bllokon Kuvendin, por janë veprimet e qeverisë me të cilat ajo po e ndan Kosovën dhe po e pamundëson perspektivën dhe të ardhmen e saj përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të dëmshme”, ka deklaruar Kadaj-Bujupi/Radio Evropa e Lirë/.