Lajmet e fundit
Ambasadori në largim i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka komentuar situatën politike dhe bllokadën institucionale në vend, gjatë intervistës ekskluzive në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Guerot tha se gjatë katër viteve të mandatit të tij ka shmangur komentet për politikën e brendshme të Kosovës dhe se nuk dëshiron ta bëjë këtë as në ditët e fundit të mandatit, raporton Klankosova.tv.
Megjithatë, ai theksoi se për Kosovën është e domosdoshme të ketë institucione funksionale, veçanërisht në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Unë s’kam bërë komente për politikën e brendshme në katër vitet e fundit dhe nuk do ta bëj as në orët e fundit të mandatit këtu. Për Kosovën që të lëvizë përpara, në veçanti drejt BE-së, ne duhet të kemi partnerë në institucione. Na duhet presidenti, na duhet Kuvendi", tha ai, transmeton Klankosova.tv
Diplomati francez tha se situata aktuale institucionale po e ngadalëson Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
“Nuk e fajësoj asnjë parti, por si një diplomat i huaj po e them atë që është e qartë: bllokada e dy viteve të fundit nuk është e dobishme që Kosova të lëvizë drejt BE-së”, deklaroi Guerot. /Klankosova.tv