Blerta Deliu: I papranueshëm trajtimi poshtërues i veteranëve nga EULEX

Blerta Deliu: I papranueshëm trajtimi poshtërues i veteranëve nga EULEX

NULL NULL
1 muaj më parë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas aksionit të EULEX-it ditën e djeshme në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës duke thënë se është i papranueshëm trajtimi poshtërues e krahasues me kriminelët e fshehur skutave e të maskuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Deliu ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë dhe të shenjtë për të realizuar të drejtën jetike – lirinë dhe se ushtarët e saj janë luftëtarë të lirisë dhe nuk guxojnë të trajtohen sikur kriminelët vrasës të kësaj lirie, të cilët vetëm zvarrë mund t’i vendosje përballë drejtësisë, njofton Klan Kosova.

“Kosova gjithmonë ka bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare dhe ka shërbyer si shembull. Prandaj, edhe EULEX-i si zbatues i urdhrave të Gjykatës Speciale është i familjarizuar tashmë me këtë fakt. Veprimet e fundit me rastin e arrestimeve të ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilat krijojnë përshtypjen e një operacioni në një vend armiqësor janë të papranueshme dhe deformuese të realitetit faktik”.

Sipas Deliut ka mjaftuar vetëm një ftesë për të evituar gjithë skenat e djeshme që ajo i ka quajtur “skena poshtërimi” dhe sipas saj natyrshëm mund të nxisin tensione të panevojshme.

Ajo ka thënë se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj ndaj drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa zbatuesit e kësaj drejtësie duhet të dëshmojnë sjellje profesionale ndaj të gjithë të akuzuarve.

“Kosova nuk ka çfarë të fsheh nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare, por ka shumë çfarë të mbrojë, e mbi të gjitha – dinjitetin e luftëtarit të lirisë” ka shkruar Deliu në llogarinë e saj në Facebook.