Blerim Shala: S’do të ketë befasi për të mirë në politikën e Shqipërisë

Blerim Shala: S’do të ketë befasi për të mirë në politikën e Shqipërisë

NULL NULL
5 days më parë

Opinionisti Blerim Shala ka thënë se historia e demokracisë kosovare ka një vlerë të shtuar politike kur përcillen zhvillimet politike në Shqipëri, pas zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti.

Ai, në një shkrim për Klankosova.tv, ka thënë se shihet se partitë opozitare shqiptare nuk do t’i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve – ndryshe nga çka ka ndodhur në historinë e zgjedhjeve në Kosovë.

“Nuk ka shenja që partitë opozitare do t’i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, teksa janë të shumtë zyrtarë dhe politikanë perëndimorë të cilët tashmë ia kanë uruar fitoren Partisë Socialiste  (PS-së) dhe Kryeministri Edi Rama. Historia e demokracisë në Shqipëri, që prej vitit 1991  (kur u mbajtën zgjedhjet e para të lira), deri më sot  (në vitin 2021), teksa janë evidencuar dhjetë parë zgjedhje parlamentare  (tetë të rregullta dhe dy të jashtëzakonshme, në vitet 1992 dhe 1997), njeh vetëm dy raste kur rezultati i zgjedhjeve është njohur menjëherë, dhe kur ka pasur një rotacion të rregull dhe të organizuar të pushtetit”.

“Herën e parë kjo ka ndodhur në vitin 1992, kur Partia Demokratike  (PD), e Sali Berishës i fitoi bindshëm zgjedhjet, pas kolapsit politik dhe ekonomik të shtetit në vitin 1991. Herën e dytë, ky zhvillim është evidencuar në vitin 1997, kur Partia Socialiste e Fatos Nanos i fitoi qartë zgjedhjet, pas një tjetër rrëzimi të shtetit, që vijoi bankrotimin e ‘Firmave piramidale’ në Shqipëri”.

“Asnjëherë tjetër, nuk ka pasë një zhvillim normal në këtë periudhën pas-zgjedhore. Duket që kështu do të jetë edhe kësaj here. Nuk do të ketë befasi për të mirë në politikën e Shqipërisë”.

Shala ka rikujtuar se të gjitha zgjedhjet parlamentare (dhe ato lokale), ‘ushtrimi i demokracisë’, përmes kutive të votimit, në Kosovë është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Rezultatet e zgjedhjeve të lira janë pranuar prej të gjitha subjekteve dhe liderëve të tyre, pak kohë pasiqë është ditur rezultati i tyre, madje, edhe para se të ndodhë certifikimi formal i këtyre zgjedhjeve. Politika dhe demokracia kosovare nuk është përballur asnjëherë me situatën kur një parti ka refuzuar të njoh rezultatin e zgjedhjeve, dhe madje është kërcënuar me mospjesëmarrjen në punimet e Kuvendit të Kosovës”.

Ai ka deklaruar se rotacioni i pushtetit nuk ka ndodhur në asnjë shtet në rajon më shpesh sesa në Kosovë.

“Më në fund, në Kosovë ka ndodhë goxha shpesh ndërrimi i pushtetit, apo rotacioni, dhe në këtë politikën e vendit, prej vitit 2001 e deri më sot  (2021), nuk ka parti politike që sot është e përfaqësuar në Kuvend, të cilës nuk i ka rënë hise të udhëheq me Qeverinë e Kosovës, duke marrë postin e Kryeministrit të Kosovës, për nga pesha, më të rëndësishmin në pushtetin qendror. Kemi pasë pra Kryeministra (në renditje kronologjike, prej shkurtit të vitit 2002 e deri më tani), të PDK-së (tre herë), AAK-së (dy herë), LDK-së (dy herë) dhe të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’  (dy herë). Një zhvillim të këtillë nuk e ka asnjë shtet në rajon”.