Bislimi thotë se ndryshonin dy letrat e Borrellit, ku ua kërkoi shtyrjen e reciprocitetit - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Bislimi thotë se ndryshonin dy letrat e Borrellit, ku ua kërkoi shtyrjen e reciprocitetit

NULL NULL
05/08/2022

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka treguar detaje nga situata që u krijua të dielën pas vendosjes së masave të reciprocitetit.

Ai tha se Kosova i është përgjigjur letrës së Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, duke ia sqaruar se fushata informuese për qytetarët serbë të Kosovës ka ekzistuar.

“I treguam [Josep Borrellit] se mund ta diskutojmë pastaj mundësinë e shtyrjes edhe për një muaj që të akomodohet kjo brengë e tij, ndërkaq për dokumentin hyrje/dalje kemi treguar që në fakt nuk kemi nevojë për fushatë informuese, meqë kjo masë nuk u vendoset qytetarëve të Kosovës, por u vendoset qytetarëve të Serbisë që futen në Kosovë dhe nuk ka nevojë për kurrfarë masa përgatitore nga këta qytetarë, meqë ata nuk duhet të tregojnë diçka apo të japin diçka për dorëzim, por marrin dokument, që do të thotë serbët e veriut nuk preken nga ky vendim”.

Bislimi thotë se ndoshta përgjigjja e institucioneve të Kosovës nuk i pëlqeu kryediplomatit evropian.

“Mirëpo, siç duket, [Josep] Borrell nuk ka qenë i kënaqur me këtë përgjigje dhe pastaj kemi pasur vizitë nga [Jeff] Hovenier, që unë mendoj që ka qenë vizitë shumë qëllimmirë dhe ka dashur ta zbehë këtë angazhimin joparimor të Bashkimit Evropian. Aty është thanë që në asnjë rast bashkësia ndërkombëtare nuk kërkon rishikimin e masave”, tha ai në një intervistë në televizionin publik.

Zëvendëskryeministri ka shpjeguar se Borrell u kishte dërguar një shkresë, ku kërkonte shtyrjen e masave të reciprocitetit, për të cilën thotë se kërkuan që të jetë në formë zyrtare.

Bislimi thotë se shkresa zyrtare që e pranuan më pas dallonte shumë me shkresën e parë, atë jozyrtare. E këtë thotë se do ta përdorin në takimet në Bruksel.

“Për informim të plotë, Borrell ka dërguar një shkresë në mëngjes, pak para nisjes së tij për në Kamboxhia, por ne kemi thënë që kjo shkresë që dërgohet përmes mjeteve të komunikimit jozyrtare, duhet të zyrtarizohet, pra duhet të vijë në mënyrë zyrtare”.

“Por pastaj kemi vërejtur diçka të çuditshme. Ka pasur dallime të mëdha mes formulimeve në shkresën e parë (jo zyrtare) dhe letrës zyrtare që e ka dërguar Borrell. Ne kemi një indicie se pse ka ndodhë kjo, por ne do ta përdorim në momente të caktuara gjatë bisedimeve në Bruksel”.