Bislimi priti në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, flasin për krizën energjetike NULL NULL 16.12.2022 18:44 16.12.2022 18:44 Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty, i cili po qëndron në Kosovë në një vizitë zyrtare. Ministri Docherty shprehu interesimin e tij rreth situatës në lidhje me sektorin e energjisë, si dhe perspektivën e Kosovës në kuadër të zhvillimit ekonomik. Bislimi e informoi Dochertyin mbi situatën e krijuar në Kosovë nga kriza energjetike që ka kapluar Evropën, si pasojë e efekteve të shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës. Bislimi theksoi se sot gjithashtu është miratuar Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031, në mbledhjen e 113-të të qeverisë. Docherty ofroi ndihmën e Britanisë, në mbështetje të sektorit të energjisë dhe arritjes së qëllimeve veçanërisht në energjinë e ripërtëritshme. Sa i përket zhvillimit ekonomik, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Docherty rreth resurseve dhe potencialeve që vendi ofron, sidomos për investitorët e huaj në sektorin e IT-së e cila po njeh hov mjaft të madh dhe ka hapësirë të ketë zhvillim të përshpejtuar. Më tej, Bislimi veçoi edhe dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dje në Pragë, të arriturat e qeverisë, reformat e deritanishme dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë të vendit. Në takim, u diskutua dhe rreth zhvillimeve në procesin e dialogut. Docherty u shoqërua nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe udhëheqësja e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Madeline Knox.
Kosova Nuk ka informacione që ndonjë shqiptar mund të ketë pësuar nga tërmeti në Turqi (VIDEO) 06/02/2023