7:30, 27 Janar 2020

Ylli i muzikës pop Billie Eilish është fituesja e madhe e Grammys 2020. Ajo ka arritur të fitojë pesë çmime duke përfshirë çmimin për “Artisten e re më të mirë” dhe “Këngën e vitit”.

18 vjeçarja e ka fituar gjithashtu edhe çmimin për “Albumin më të mirë të vitit” për albumin e saj debutues “When We All Fall Asleep, Where Do We Go” që është incizuar në shtëpinë ku ajo është rrritur në LA.

Ajo e ka zëvendësuar Taylor Swift duke u bërë kështu personi më i ri në moshë që e ka fituar këtë çmim.

“Unë bëj shumë shaka lidhur me këto gjëra, por me të vërtet dua të them se jam shumë mirënjohëse”, ka thënë  këngëtarja.

Eilish ka triumfuar në ‘katërshen e madhe’ të Grammys – “Kënga e vitit”, “Rekordi i vitit”, “Albumi i vitit” dhe “Artistja e re më e mirë e vitit”.

Ajo është personi i parë që e arriti këtë sukses që nga Christopher Cross në 1981, transmeton Klan Kosova.

Vëllau i saj më i madh, Finneas O’Connell, është shpallur “Producenti i vitit” për punën që e ka bërë në albumin e Eilish.

Ai ka treguar se pse albumi është incizuar në shtëpinë e tyre.

“Unë jam më së shumti kreativ aty ku ndihem më së shumti rehat. Është një nder i jashtëzakonshëm ta fitoj një Grammy për ‘biskotat e bëra në shtëpi”, ka thënë ai.

Eilish dukej se ishte jashtëzakonisht e emocionuar nga të gjitha çmimet që kishte fituar.

Derisa po e pranonte çmimin për “Albumin e vitit”, ajo i është drejtuar të nominuarës tjetër për këtë çmim, Ariana Grande, duke thënë “A mund  të them se mendoj se Ariana e meriton këtë?”.

Në ndërkohë, më herët në tapetin e kuq, ajo ka bërë shaka duke thënë se nuk ndihet se duhej të ishte atje.

“Po ndjehem sikur e kanë lënë brenda aksidentalisht një fanse”, ka thënë ajo.

 

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë