22:56, 10 Dhjetor 2019

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka treguar se si ka arritur ta menaxhojë situatën për rifillimin e procesit mësimor pas tërmetit të 26 nëntorit që pas vetes la dëme shumë të mëdha.

“Kur ra tërmeti i shtatorit, ne e krijuam një protokoll të funksionimit në momentin që ndodh një emergjencë. Ne i kemi të gjithë drejtuesit e shkollave në Whatsapp, shyqyr që ekzistojnë rrjetet sociale që na kanë mundësuar komunikimin edhe me zonat më të thella në Shqipëri, dhe pyetja e parë për drejtuesit është ‘dilni deri te shkolla dhe shihni vizuelisht a ka dëme shkolla juaj’”.

“Mbledhja e informacionit të parë që vjen nga drejtorët që është e paverifikuar sepse ata nuk janë inxhinierë vendoset në një Excel dhe më pas ndahen punët me njerëzit që mund të shkojnë në terren dhe të verifikojnë nëse ato janë dëme serioze, nëse mund të riparohen shpejt apo janë dëme që e bëjnë shkollën të pabanueshme për momentin”.

“Këtë gjë e kemi bërë edhe kësaj radhe”.

Ajo në Zona B të Klan Kosovës ka treguar për dy opsionet që kishte paraqitur në mbledhjen e qeverisë – hapjen e të gjitha shkollave në Shqipëri që ishin vërtetuar që ishin në rregull dhe mbylljen vetëm të atyre që nuk ishte vërtetuar se janë të sigurta apo mbylljen e të gjitha shkollave në vendet e goditura nga tërmeti.

“Pasi u siguruam se jemi gjallë dhe mirë të gjithë, kërkesa e dytë për drejtorët e shkollave ishte ‘dilni dhe shihni cilat shkolla kanë probleme’. Na kanë sjellë një listë prej 200 shkollash të cilat u kontrolluan më 27 dhe 28 nëntor nga inxhinierët bashkiakë dhe ata që erdhën nga Kosova”.

“Ne e kishim idenë se cilat shkolla mund të hapen dhe cilat jo deri me datën 28 nëntor. Problemi ishte që pati edhe shumë lëkundje të tjera pas tërmetit kryesor. Një shkollë që u deklarua në rregull nga inxhinierët me datën 28 nëntor nuk doli në rregull më me 1 dhjetor, pas lëkundjeve të vazhdueshme”.

“Kërkuam edhe njëherë ndihmë nga inxhinierët që erdhën nga Kosova edhe nga inxhinierët e tjerë që ishin aty për ta marrë vendimin ose t’i hapim të gjitha shkollat që ishin në rregull dhe t’i mbanim mbyllur shkollat individuale që nuk ishin në rregull apo t’i mbyllim të gjitha shkollat në zonat që ishin të prekura nga tërmeti”.

“Këto ishin dy opsionet që prezantova te mbledhja e qeverisë. Pasi u mbyll pjesa publike e mbledhjes së qeverisë, ne bëmë edhe pak diskutim për të marrë parasysh dy gjëra të tjera”.

“E para, nëse ne mbyllim të gjitha shkollat, çfarë efekti do të ketë te prindërit që punojnë dhe duan t’i kenë fëmijët diku. E dyta, nëse në një qytet një shkollë hapet dhe tjetra nuk hapet, çfarë efekti psikologjik ka tek njerëzit që kanë humbur edhe shtëpinë dhe duhet ta dërgojnë fëmijën në shkollë derisa shkolla ngjitur me të është mbyllur. A po e dërgojmë një porosi të sigurisë ose jo?”.

“Unë anoja më shumë që në një qytet ose hapim të gjitha shkollat ose nuk i hapim fare. Ndaj, vendosëm që të hapim shkollat në gjithë Shqipërinë ku nuk kishte tërmet dhe bëmë dy data të tjera të hapjes në varësi të dëmit të shkaktuar në qarkun Lezhë, Durrës dhe Tiranë”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë