Berisha ndërlidh zhvillimet e Speciales me nënshkrimin e marrëveshjes finale me Serbinë (VIDEO)

Berisha ndërlidh zhvillimet e Speciales me nënshkrimin e marrëveshjes finale me Serbinë (VIDEO)

NULL NULL
1 muaj më parë

Njëri nga ish-komandantët e Koshares, Hisen Berisha, është shprehur i bindur se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nëse do të ketë aktakuzë të konfirmuar për ta nga Gjykata Speciale, do të dalin të pafajshëm.

“Po të nisemi nga normat e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare, apo të luftës siç është quajtur më herët, por bazuar edhe në doktrinat mbi të cilat e ka zhvilluar luftën UÇK-ja, mbi kapacitetet ushtarake dhe luftarake që kemi pasë ne, mbi kapacitetet logjistike, unë besoj dhe kam bindje të plotë se asnjë nga pretendimet e publikuara jashtëligjshëm dhe jashtë çdo norme në atë pamfletin e pretencës gjoja për aktpadi nuk do t’i gjejnë fajtorë as dy të apostrofuarit [Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli] dhe as të tjerët që lidhen me veprën kyçe që ka qenë trafikimi me organe, apo pretendimet e Dick Martyt në raportin e tij për arsye të së cilës është ngritur edhe kjo gjykatë”.

“Mbi atë a ka karakter politik ose jo, ne të gjithë e dimë presionin me të cilin janë krijuar Dhomat e Specializuara, se si janë ndërtuar këto aktakuza, prej kujt janë influencuar dhe cilat janë pretendimet. Publikimi i tyre në momentin më kritik – udhëtimi i presidentit në Washington – nuk është i paqëllimshëm. Ka pretenduar ta arrijë efektin politik negativ në adresë të Kosovës dhe e ka arritur”.

Berisha në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se edhe nëse do të konfirmohet aktakuza për Hashim Thacin dhe Kadri Veselin e njëjta nuk duhet të publikohet.

“A do të bëhen të njohura konfirmimi i aktakuzave tash a po jo? Me njohuritë e mia si jurist nuk është në praktikën juridike që të publikohet aktakuza e personave që akuzohen. Nuk pres që këto aktakuza do të publikohen, derisa ato mund të konfirmohen dhe palët të njoftohen dhe të shkojnë në gjykatë vetë, apo nëse nuk i përgjigjen do të arrestohen dhe të dërgohen dhunshëm. Fakt se kjo qëndron kështu është se publikimet e mëhershme u konsideruan të jashtëligjshme. Tani nëse këto aktakuza janë konfirmuar, palët duhet të ftohen”.

Por, ai ka deklaruar se në rast se do të ketë një aktakuzë të konfirmuara për presidentin nga Dhomat e Specializuara, ai duhet ta bëjë publike një gjë tillë për hir të opinionit publik.

“Zyra e Presidentit e vlerëson a do ta bëjë publike ose jo dhe unë mendoj se duhet ta bëjë, sepse është shqetësim i të gjithë qytetarëve. Çdo qytetar i Kosovës është i interesuar ta dijë situatën rreth aktakuzave që do të rëndojnë mbi presidentin e vendit”.

Ish-komandanti i Koshares e ka bërë një ndërlidhje të gjithë zhvillimeve lidhur me Gjykatën Speciale me marrëveshjen e mundshme finale me Serbinë.

“Fryma politike e cila e ka përcjellur krijimin e gjykatës, ngritjen e aktakuzave dhe gjithë procesin tash qëndron diçka më thellë sesa thjesht a do të dënohen ose jo, sepse unë kam bindje të plotë se nuk do të rezultojë asgjë. Po më duket se këtu fshihet diçka më e thellë që është pritja e nënshkrimit të një marrëveshje finale, që ndoshta do të jetë shumë e rëndë ose shumë e favorshme. Po e ndërlidhi me një shantazhim të drejtpërdrejtë të liderëve politikë që kanë fuqi të marrin vendim, apo ta stopojnë nëse nuk është e favorshme për Kosovën”.

“Kjo gjykatë më shumë sesa të vendosë drejtësi ndërkombëtare e ka qëllimin e shantazhimit në emër të Serbisë të të procesit politik. Duke adresuar padi dhe duke penguar lidershipin aktual të jenë pjesë të procesit dhe ta stopojnë nëse nuk është i favorshëm mund të jetë për të bërë favore ndaj Serbisë për ta tërhequr ndoshta nga ndikimi rus”.