Lajmet e fundit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se gjashtë deputetë të grupit parlamentar të partisë së tij, nuk janë pajtuar me emrin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Në Rubikon të Klan Kosova, gazetarja e Klanit, Qendresa Bellagoshi, ka thënë se tash meqë mungojnë 6 vota të LDK-së, opsion mund të jenë votat e Aleancës, raporton Klankosova.tv.
Megjithatë, ajo tha se për Albin Kurtin do të jenë të vështira “kushtet” e kësaj partie për t’ia bërë kuorumin në çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
“Kushtet të cilat i ka Aleanca mund të jenë shumë të vështira për Vetëvendosjen - që i bie t'i realizojë disa kërkesa të shumta që i kanë ardhur prej shumë rrugëve e që më pas, natyrisht që do t'i merrte meritat Aleanca që kanë mbërritur gazin amerikan, kanë mbërritur edhe ligjin përkatësisht buxhetin për Prishtinën, edhe shumë të tjera, të cilat më pas do të ishin meritë e Aleancës që janë arritur me u realizuar, e jo vendim në këtë rast i partisë së udhëhequr prej Kurtit”, deklaroi Bellagoshi.
Ajo madje kujtoi edhe deklaratën e ish-shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, i cili kërkoi që të mos tentohet të negociohet me Aleancën për çështjen e Presidentit, ndonëse deklarata e tij është bërë para zhvillimeve në LDK. /Klankosova.tv