Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Behramaj: Vepra e Nënë Zahides zgjati 2 muaj e gjysmë – nga djepi fillon gjithçka për ne shqiptarët

NULL NULL
18.06.2025 18:54

Në Skenderaj të Drenicës është shënuar Dita e Çlirimit ku edhe është vendosur monumenti i Zahide Jasharit, nënës së heronjve Adem dhe Hamëz Jashari.

Veprën e punoi Sabri Behramaj, i cili në një intervistë për gazetaren e Klan Kosovës, Amantina Hasani, tha se realizimi i shtatores së Nënë Zahides ka zgjatur 2 muaj e gjysmë.

Ai e pati të vështirë të flasë për emocionet që e kanë përcjellë atë gjatë realizimit të kësaj vepre.

“Realizimi i shtatores ka zgjatë 2 muaj e gjysmë. Ka qenë vërtetë emocionuese sidomos për ne që i kemi përjetuar dy botët: atë të dhunës nga pushtuesi dhe sot të lirisë kur e shohim sakrificën dhe përjetimet e dhunës deri në flijim të një familjeje të tërë, një nënë që bart peshën e rëndë mbi supet e saj për familjen, mundi i saj për t’i lindur, rritur dhe edukuar, të prekë thellë në shpirt dhe është e vështirë për mua t’i interpretoj me fjalë emocionet që kam përjetuar gjatë realizimit të veprës”, është shprehur Behramaj.

Autori i skulpturës tregoi edhe arsyen se pse ka vendosur që ta bëjë Nënë Zahiden bashkë me djep. Sipas tij, gjithçka për shqiptarët nis nga djepi.

“Pikërisht nga ai djep fillon liria dhe historia, mund të them. Nëna Zahide është kryefjala dhe nga djepi i saj fillon liria, jeta, kultura, historia, vuajtja, trashëgimia dhe gjithçka tjetër për ne shqiptarët. Secili kemi kaluar po nga ai djep, secili mund ta shohim veten aty dhe ta përjetojmë ngrohtësinë e nënës, zërin e saj, buzëqeshjen… është trashëgimia dhe tradita e jonë, nëna dhe djepi përcjellë mesazh të fuqishëm ndër breza”, tha autori.

Veç kësaj shtatoreje, Behramaj tha se e ka në mendje që të ndërtojë një imazh skulptural i cili do të përfaqësojë të gjithë të rënët e familjes Jashari.

“Po në mendje e kam dhe do mundohem ta ndërtoj një imazh skulptural, një monument gjithëpërfshirës për krejt të rënët e familjes Jashari sepse të gjithë janë të barabartë, të gjithë kontribuuan secili në mënyrën e vetë, luftuan dhe u flijuan për lirinë e vendit. Është vlerësuar si rast unik në botë dhe duhet ta kemi një monument gjithëpërfshirës për t’i kujtuar dhe nderuar”, potencoi autori i shtatores së Nënë Zahides.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.