Lajmet e fundit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, prezantoi të enjten një plan të gjerë për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në internet. Propozimi parashikon ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 13 vjeç dhe detyrimin e platformave online për të krijuar llogari të posaçme dhe më të sigurta për fëmijët.
Nisma vjen në një kohë kur Australia, Britania e Madhe, Kina, India, Turqia dhe disa vende të Bashkimit Evropian kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin që platformat si Facebook dhe Instagram të kompanisë Meta, TikTok, YouTube i Google dhe chatbotët e inteligjencës artificiale, përfshirë ChatGPT, mund të kenë në shëndetin mendor dhe sigurinë e fëmijëve.
Megjithatë, përpjekjet e Australisë për zbatimin e ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç kanë hasur vështirësi, çka mund ta bëjë zbatimin e një mase të ngjashme në Evropë një sfidë të konsiderueshme.
“Sot, fëmijët tanë po përdorin disa nga teknologjitë më të sofistikuara të krijuara ndonjëherë, por ato nuk janë zhvilluar duke pasur parasysh mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve”, deklaroi von der Leyen në një konferencë për media.
Ajo tha se i ashtuquajturi “EU Kids Act” do të vendosë “kufij të qartë në botën digjitale, ashtu siç bëjmë çdo ditë në botën reale”.
Sipas propozimit, i cili duhet të negociohet gjatë muajve të ardhshëm me vendet anëtare të BE-së dhe Parlamentin Evropian përpara se të mund të shndërrohet në ligj, llogaritë e fëmijëve të moshës 13 deri në 15 vjeç do të jenë nën kontrollin e prindërve.
Rrjetet sociale, platformat për shpërndarjen e videove, videolojërat online, shoqëruesit me inteligjencë artificiale dhe chatbotët që përdoren nga të miturit nën 18 vjeç do t’i nënshtrohen një sërë rregullash dhe kufizimesh.
Ndër masat e propozuara janë ndalimi i funksioneve që krijojnë varësi, rekomandimeve të personalizuara të bazuara në profilizimin e përdoruesve, lëvizjes pa fund në përmbajtje (“infinite scroll”), mekanizmave shpërblyes që nxisin përdorimin e tepërt dhe kontaktit të padëshiruar nga persona të panjohur.
Ndërkohë, shoqëruesit dhe chatbotët me inteligjencë artificiale do të duhet të jenë të çaktivizuar si parazgjedhje për fëmijët.
Platformat online do të detyrohen të hartojnë algoritme të sigurta për fëmijët dhe të ofrojnë kontrolle prindërore të lehta për t’u përdorur, si dhe mjete për bllokimin dhe heshtjen e përdoruesve të tjerë.
Kompanitë do të duhet gjithashtu të verifikojnë moshën e përdoruesve në momentin e hapjes së një llogarie, përmes mjeteve të verifikimit të moshës. Në rast të shkeljes së rregullave, ato mund të përballen me gjoba deri në 6% të të ardhurave të tyre vjetore globale.
Përveç gjobave, kompanitë do të duhet të paguajnë edhe një tarifë mbikëqyrjeje për të financuar punën e autoriteteve rregullatore.
Organizata e industrisë së teknologjisë CCIA Europe, e cila ka ndër anëtarët e saj kompani si Google dhe Meta, ka paralajmëruar për rreziqet që propozimi mund të krijojë për privatësinë dhe për përplasjet e mundshme me kërkesat e ligjeve të tjera të BE-së.
“Mbledhja e të dhënave për moshën, dokumenteve të identitetit dhe të dhënave që lidhin fëmijët me prindërit ose kujdestarët në këtë shkallë do të krijonte padyshim një objektiv tërheqës për kriminelët kibernetikë”, tha Daniel Friedlaender, drejtues i CCIA Europe.
Sipas tij, “Kids Act” krijon mbivendosje dhe përsëritje ligjore, të cilat në fund mund të dobësojnë mbrojtjen e fëmijëve dhe konsumatorëve.