Lajmet e fundit

Bashkimi Evropian duhet të krijojë një agjenci të përbashkët evropiane për zbatimin e rregullave digjitale, në mënyrë që të kapërcehet fragmentimi dhe boshllëku aktual në kontrollin e teknologjive të reja, vlerësojnë ekspertë të fushës.
BE-ja ka ndërtuar një nga kuadrot më të gjera rregullatore në botë për teknologjitë digjitale, por zbatimi i këtyre rregullave është shpërndarë në një numër shumë të madh institucionesh. Sipas një dokumenti të ri, rregullorja digjitale e BE-së përfshin më shumë se 171 ligje dhe 315 organe rregullatore, duke krijuar një sistem të fragmentuar dhe joefikas, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.
Në një punim të hartuar nga Kai Zenner, shef kabineti i eurodeputetit gjerman Axel Voss, dhe analistja e pavarur e teknologjisë dhe demokracisë Maria Koomen, propozohet krijimi i një Agjencie Evropiane për Zbatimin Digjital.
Autorët argumentojnë se një strukturë e centralizuar është veçanërisht e nevojshme tani që BE-ja ka nisur zbatimin e ligjeve të rëndësishme, përfshirë Akti për Inteligjencën Artificiale (AI Act), Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe Aktin për Tregjet Digjitale (DMA).
Sipas Koomen, zbatimi i këtyre ligjeve po intensifikohet, por përgjegjësitë vazhdojnë të jenë të ndara mes më shumë se 300 institucioneve evropiane dhe kombëtare. Shumë prej tyre, theksohet në raport, nuk kanë staf të mjaftueshëm, ekspertizë të specializuar apo pavarësinë e nevojshme për të garantuar një zbatim të njëtrajtshëm të rregullave.
Autorët vënë në pikëpyetje edhe rolin e Komisionit Evropian, i cili është njëkohësisht ligjvënës, zbatues dhe vlerësues i politikave, ndërsa zhvillon paralelisht negociata me vende të treta për çështje tregtare dhe të sigurisë.
Sipas ekspertëve, kjo përzierje rolesh mund ta ekspozojë Komisionin ndaj presioneve politike dhe të krijojë rrezikun që zbatimi i rregullave digjitale të mos jetë gjithmonë i pavarur.
Krijimi i një Agjencie Evropiane për Zbatimin Digjital, sipas propozimit, do të synonte të centralizonte ekspertizën dhe mbikëqyrjen, duke i dhënë BE-së një mekanizëm më të fuqishëm dhe më të koordinuar për të zbatuar rregullat e saj në sektorin digjital.