Lajmet e fundit
Legjendat e futbollit kosovar, që dikur shkruan histori në fushat e Kosovës, sot po e shohin nga afër gjeneratën që synojnë të bëhen si ata.
Ata u bënë bashkë në inaugurimin e FIFA Talent Academy në Kampin Nacional të Hajvali të martën.
E për këta, vetë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shpresa të mëdha.
Fjalë të mëdha kishte edhe përfaqësuesi i FIFA-s, i cili tha se tërë Ballkani do t’ia ketë lakmi Kosovës.
“Mendoj se në të gjithë Ballkanin do ta shohin Kosovën dhe akademinë dhe me këtë bashkëpunim të shkëlqyer që ka filluar prej vitesh midis FIFA-s dhe Federatës Kosovare të Futbollit. Të gjithë lojtarët, djem dhe vajza, mendoj se e ardhmja për ju është e ndritur. Do t'i falënderoj trajnerët, Gjeneratën e Artë dhe do të doja t'u uroj atyre lojtarëve që të bëhen më të mirë se Gjenerata e Artë”, tha Tomas Danileviqius, teknik rajonal i FIFA-s.
Me nga një medalje u shpërblyen 20 djem dhe 20 vajza nga kryetari i FFK-së, teksa gjithë ky organizim u mbyll me një stërvitje. /Klankosova.tv