Lajmet e fundit

Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se është në të drejtën e Kosovës kundërshtimi i Gjykatës Speciale.
Përderisa, ka kritikuar aktgjykimin dënues që ajo ka shqiptuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Baraliu në Klan Kosova ka thënë se Kosova duhet të jenë këmbëngulëse në kërkesat e saj.
“Evropa është e tillë, e dimë historikisht. Do të vazhdojnë ata, por e drejta jonë është që të marrim iniciativa, të jemi këmbëngulës, ta reflektojmë këtë disponim kundër kësaj gjykate. Ne e kemi pa, që kjo po vepron jashtë mandatit, që nuk është transparente, që nuk është e drejtë, por ne kemi shpresuar që më në fund, ata njerëz do të jenë meritor, dinjitoz dhe profesional, por gjyqtarët nuk ishin.”, ka thënë ai.
Baraliu ka shtuar se kjo gjykatë është formuar për të vepruar brenda juridiksionit të Kosovës, por sipas tij, ajo ka vepruar kundër çdo norme juridike ndërkombëtare.
“Ajo që është më e rënda, për ta njollosur shtetin, luftën e UÇK-së, është ndërmarrja e përbahkët kriminale. Derisa, edhe Tribunali i Hagës, në rastin e Haradinajt dhe Limajt, e ka eliminuar ndërmarrjen e përbashkët kriminale, pra shiheni çfarë kanë bërë këta, thjeshtë një lojë jokorrekte, joligjore dhe e pashembullt në analet e drejtësisë ndërkombëtare.”, ka thënë ai. /Klankosova.tv