Lajmet e fundit

“West-Ballkan, Hot.Spots” titullohet ekspozita e fotografit austriak Dr. Karl Bauer, një seri fotografish që dokumentojnë pamje dhe momente nga Ballkani Perëndimor gjatë 20 viteve të fundit, me fokus të veçantë në Kosovë.
Ekspozita përfshin fotografi të realizuara përgjatë më shumë se 30 udhëtimeve të Bauer në rajon, përmes të cilave, ai ka dokumentuar çaste, situata dhe pamje të një bote që për shumë vizitorë mund të jetë ende pak e panjohur.
Fotografitë e ekspozitës mbështeten në qasjen dokumentuese, duke sjellë një vështrim mbi historinë dhe të tashmen përmes çasteve të përditshme, tensioneve politike dhe takimeve njerëzore. Në vend të efekteve dramatike, fotografia dokumentuese synon të fiksojë realitetin me autenticitet, objektivitet dhe ndërhyrje minimale pas realizimit.
Ekspozita paraqet pesë këndvështrime kryesore, të cilat do të prezantohen gjatë ceremonisë hapëse që do të mbahet sonte në KultPlus Caffe Gallery, duke nisur nga ora 19:00. /Klankosova.tv