Bahtiri ndau mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar dhe për ata që u pensionuan

Bahtiri ndau mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar dhe për ata që u pensionuan

NULL NULL
1 month më parë

Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, Drejtoria Komunale e Arsimit për nder të 7 marsit “Ditës së Mësuesit” gjatë ditës së sotme ka organizuar një takim të përbashkët me mësimdhënës, pensionistë dhe drejtorë të shkollave të Komunës së Mitrovicës.

Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Ismet Ferizi, të cilët ndan mirënjohje për mësimdhënësit më të dalluar dhe për ata që janë tash në pension për kontributin e tyre në procesin edukativo- arsimor.

Fillimisht gjatë këtij takimi është shfaqur një film dokumentar me titull “Mbijetesa e shkollës shqipe”, në të cilin u pasqyrua kontributi i mësimdhënësve për organizimin e mësimit në shtëpi shkolla përgjatë viteve të 90-ta.

Në fjalën e tij, kryetari Bahtiri ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit për punën e tyre të palodhshme në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave, duke thënë se të jesh mësimdhënës nuk është e lehtë, ka sfida dhe përgjegjësi të mëdha, por në të njëjtën kohë është nder dhe krenari të kontribuosh në edukimin e brezave të rinj.

Po ashtu kryetari Bahtiri theksoi se kur shënohet 7 marsi çdo herë kujtojmë sakrificat e mëdha në rrugën e dijes dhe të lirisë, dhe se nuk duhet të harrojmë edhe kolegët tuaj që kanë rënë për lirinë e vendit, dhe ata që vunë themelet e shkollës shqipe, mundin dhe sakrificën që bënë, por edhe për të rikujtuar se na presin shumë punë në të ardhmen për të qenë në shërbim të dijes, nxënësve dhe atdheut.

“Duke e kuptuar rolin dhe rëndësinë e misionit të tyre, për të mirën e arsimit shqip, të atdheut dhe kombit, mësuesit u vunë në ballë të të gjitha proceseve, andaj urime të gjithë mësimdhënësve 7 marsi dhe ju përcjelltë çdo herë shëndeti dhe suksesi”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Gjithashtu të pranishmit patën rastin të ndjekin edhe disa pika të programit kulturor – artistik që ishte përgatitur enkas për “Ditën e Mësuesit”.