Lajmet e fundit

Avokati i Popullit ka publikuar një Opinion lidhur me kriteret e përcaktuara nga Qeveria e Kosovës për dhënien e pagës së 13-të për të punësuarit që marrin pagë nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
Në Opinionin e publikuar të enjten, Avokati i Popullit ka analizuar Vendimin nr. 02/07 të Qeverisë për dhënien e pagës së trembëdhjetë dhe efektet e krijuara nga zbatimi i tij, duke e vlerësuar atë në raport me parimin e barazisë, proporcionalitetit, pritshmërisë legjitime, sigurisë juridike dhe mbrojtjes së të drejtave pasurore, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Avokatit të Popullit, përcaktimi i pagës së 13-të përmes Ligjit nr. 10/L-001 për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, konkretisht në nenin 32, paragrafi 1, krijon pritshmëri legjitime për realizimin e saj si e drejtë subjektive me karakter pasuror.
Ky institucion vlerëson se kjo e drejtë ndërlidhet drejtpërdrejt me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokati i Popullit thekson se vendimet dhe kriteret administrative që nxirren për zbatimin e një norme juridike nuk mund të zvogëlojnë të drejtat e përcaktuara shprehimisht me ligj.
Sipas Opinionit, kriteret administrative nuk mund të tejkalojnë përcaktimin ligjor dhe të vendosin kushte të tjera që cenojnë të drejtat e përcaktuara me ligj për punonjësit.
“Një veprim i tillë, sikurse ka ndodhur me Vendimin 02/07 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u cenon punonjësve që marrin pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës pritshmërinë legjitime dhe sigurinë juridike”, thuhet në Opinion.
Avokati i Popullit ka theksuar gjithashtu se rregullimi i pagës së 13-të duhet të sigurojë trajtim të barabartë mes përfituesve, përmes kritereve të qarta dhe të arsyeshme ligjore, të cilat nuk e cenojnë qëllimin për të cilin është paraparë kjo pagë.
Në fund, Avokati i Popullit e konsideron Opinionin si këshillë për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, që gjatë miratimit të akteve lidhur me pagën e 13-të të kenë parasysh përfshirjen dhe trajtimin e barabartë të të gjithë punonjësve që i kanë plotësuar kushtet ligjore për përfitimin e saj.