Lajmet e fundit

Autoritetet po hetojnë nëse një pilot i kompanisë Flydubai tentoi ta rrëzonte një avion që po udhëtonte drejt Izraelit, pasi humbi papritur disa qindra metra lartësi.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se njëri pilot kishte goditur me thikë pilotin tjetër gjatë fluturimit, duke detyruar avionin të kryente një ulje emergjente në Arabinë Saudite.
Flydubai konfirmoi se të gjithë pasagjerët ishin të sigurt, shkruan Deutsche Welle, transmeton klankosova.tv.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se ishte parandaluar një “sulm terrorist xhihadist”, pasi disa pasagjerë kishin ndërhyrë.
Një zëdhënës i zyrës së kryeministrit izraelit tha se Netanyahu kishte urdhëruar autoritetet që të “rrisin” masat e sigurisë për të gjithë transportuesit ajrorë, izraelitë dhe të huaj, pas incidentit me fluturimin e Flydubai.
Të mërkurën në mbrëmje, pasagjerët e fluturimit të devijuar të Flydubai mbërritën në Izrael me një avion zëvendësues, ku i prisnin një numër i madh familjarësh.
Çfarë ndodhi në fluturimin e Flydubai?
Flydubai tha se fluturimi FZ 1073, nga Dubai drejt Tel Avivit, përjetoi një “incident” gjatë udhëtimit dhe u ul i sigurt në veriperëndim të Arabisë Saudite. Avioni ishte një Boeing 737 MAX 8.
“Avioni është ulur i sigurt në aeroportin e Tabukut dhe të gjithë pasagjerët janë të sigurt dhe janë evidentuar”, tha një zëdhënës i Flydubai.
Më vonë, një tjetër zëdhënës i kompanisë tha se arsyet e një përleshjeje që “ndodhi në kabinën e pilotëve të fluturimit FZ 1073” mbeten të panjohura dhe janë duke u hetuar zyrtarisht.
“Është ende herët dhe arsyet dhe motivet që qëndrojnë pas kësaj ngjarjeje janë të panjohura dhe mbeten objekt i një hetimi zyrtar. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin spekulimet e parakohshme, ndërsa autoritetet po mbledhin faktet”, tha zëdhënësi në një deklaratë të publikuar nga agjencia e lajmeve AFP.
Transmetuesi izraelit Channel 12 raportoi se autoritetet po hetonin nëse njëri prej pilotëve kishte tentuar qëllimisht ta rrëzonte avionin, ndërsa piloti tjetër kishte ndërhyrë për ta ndaluar.
Mediat izraelite raportuan se njëri prej pilotëve kishte pësuar plagë nga goditja me thikë. Raportimet fillestare e kishin përshkruar incidentin vetëm si një përleshje mes dy pilotëve, por pamjet e publikuara më vonë nga mediat izraelite dukeshin se tregonin një pasagjer me gjak në këmishë.
Media të ndryshme kanë raportuar kombësi të ndryshme për pilotin dhe bashkëpilotit. Disa raportime thonë se njëri ishte rus dhe tjetri ukrainas, ndërsa të tjera pretendojnë se ata ishin oman dhe emiratas.
Faqja për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24 fillimisht tregoi se një tjetër fluturim i Flydubai, FZ1081, nga Dubai drejt Tel Avivit, ishte devijuar dhe po kthehej në drejtim të Dubait. Më vonë, të dhënat treguan se avioni kishte vazhduar drejt Tel Avivit. Deri tani nuk ka pasur një shpjegim të menjëhershëm për këtë ndryshim.
Sa lartësi humbi avioni?
Portali izraelit Ynet raportoi se avioni kishte hyrë në një zbritje të pjerrët dhe se pasagjerët kishin ndihmuar njërin prej pilotëve për ta penguar tjetrin që ta rrëzonte avionin.
Të dhënat e gjurmimit të fluturimit tregojnë se avioni humbi papritur rreth gjysmën e lartësisë së tij, teksa po i afrohej kufirit të Arabisë Saudite me Jordaninë.
Sipas të dhënave të Flightradar24, avioni zbriti nga rreth 10,360 metra në orën 05:21 GMT/UTC, në nën 5,180 metra vetëm një minutë më vonë, në 05:22 GMT/UTC.
Transmetuesi publik izraelit Kan dhe Channel 12 raportuan se ushtria izraelite kishte ngritur në ajër avionë luftarakë, pas frikës fillestare se mund të bëhej fjalë për një rrëmbim të avionit. Sipas këtyre raportimeve, kjo mundësi u përjashtua më vonë.
Udhëheqësit izraelitë deklaruan se një pilot, të cilin e përshkruan si “xhihadist”, kishte tentuar të rrëzonte avionin e Flydubai, i cili transportonte kryesisht pasagjerë izraelitë.
Në një video-mesazh, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se “gjatë fluturimit, njëri prej pilotëve goditi me thikë pilotin tjetër dhe, me sa duket, tentoi ta rrëzonte avionin me të gjithë personat në bord”.
Ai shtoi se pasagjerët dhe ekuipazhi kishin neutralizuar sulmuesin, ndërsa avioni kishte kryer një ulje emergjente në Arabinë Saudite, ku piloti ishte arrestuar.
“U bëj nderim këtyre heronjve, të cilët treguan zgjuarsi dhe guxim të jashtëzakonshëm. Ata shpëtuan shumë jetë dhe parandaluan një katastrofë të madhe”, tha Netanyahu.
Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e përshkroi incidentin si “një sulm terrorist xhihadist të tentuar”, i cili, sipas tij, ishte parandaluar vetëm falë “heroizmit të disa pasagjerëve izraelitë”.
Më herët, zyra e Netanyahut tha se kryeministri kishte zhvilluar konsultime lidhur me incidentin dhe po monitoronte zhvillimet.
“Situata është nën kontroll dhe të gjitha masat po ndërmerren aktualisht për të rikthyer të sigurt pasagjerët izraelitë në Izrael”, thuhej në njoftim.
Një zyrtar i lartë i qeverisë izraelite, i cili nuk u identifikua me emër, i tha Channel 12 se ishte parandaluar një katastrofë e madhe.