Lajmet e fundit

Bashkëpiloti i avionit të Flydubai që po udhëtonte drejt Izraelit e kishte sulmuar pilotin me sëpatë emergjence, në përpjekje për të marrë kontrollin e avionit, ka bërë të ditur prokurori i përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Fluturimi nga Dubai drejt Tel Avivit, me më shumë se 170 persona në bord, ka humbur rreth 17 mijë këmbë (5 mijë e 200 metra) lartësi, dy orë e gjysmë pas nisjes, përpara se pasagjerët të arrinin ta neutralizonin sulmuesin dhe të merrnin kontrollin e situatës në avion, shkruan BBC, transmeton klankosova.tv.
Kapiteni Smit Machchhar tha se ishte i shtrirë në dysheme dhe i lënduar kur kuptoi se avioni po humbte lartësi dhe se duhej të vepronte.
“I thashë vetes se duhej të bëja edhe një përpjekje të fundit për ta hapur derën nga brenda”, ka shpjeguar ai, duke bërë të mundur hyrjen e pasagjerëve në kabinën e pilotëve.
Dy pilotë rezervë më pas arritën ta ulnin avionin në mënyrë të sigurt në Arabinë Saudite.
Sëpata e emergjencës zakonisht mbahet në kabinën e pilotëve në rast të situatave emergjente.
Prokurori i përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe u tha mediave shtetërore se hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar rrethanat e plota dhe motivet e incidentit.
Bashkëpiloti që kreu sulmin ishte shtetas i Omanit, sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Netanyahu tha për Fox News të enjten se, pasi ishte neutralizuar, sulmuesi u kishte thënë anëtarëve të ekuipazhit: “Më vrisni, më vrisni!”