Lajmet e fundit

Astrologia, Afërdita Zaja ka bërë deklarata interesante gjatë një interviste në emisionin “Kosova Today”, ku ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e dinosaurëve dhe teorinë e evolucionit.
Zaja pretendoi se dinosaurët nuk kanë ekzistuar dhe se vetë termi “dinosaur” është shpikur në shekullin XIX nga shkencëtari britanik Richard Owen, transmeton Klankosova.tv.
“Përpara vitit 1842 askush nuk kishte dëgjuar për termin dinosaur. Ka qenë një njeri, Richard Owen, ai është në fakt njeriu që e shpiku termin dinosaur. Është një trillim në fakt”, është shprehur ajo.
Sipas Zajës, ekzistenca e dinosaurëve është “një gënjeshtër” dhe “një propagandë shumë e madhe”, duke pretenduar se kjo ide është përdorur për t’i mbajtur njerëzit larg asaj që ajo e konsideron si të vërtetën.
Ajo e lidhi këtë pretendim edhe me evolucionin, duke thënë se, sipas saj, të njëjtët njerëz që kanë “shpikur” dinosaurët kanë paraqitur edhe idenë se njeriu vjen nga majmuni dhe se Toka është e rrumbullakët.
Gjatë bisedës, Zaja deklaroi se njeriu është krijuar nga Zoti dhe iu referua “diturisë vedike”, të cilën ajo e lidhi edhe me pellazgët.
“Njeriu është krijuar nga hyjnorja. Dituria vedike që unë e përfaqësoj, që është dhe dituria e pellazgëve tanë, e thotë shumë bukur që njeriu i parë është krijuar nga hyjnorja”, tha Zaja.
“Teoria e Darvinit është teori, nuk është diçka e vërtetuar dhe nuk është e vërtetë”, deklaroi ajo. /Klankosova.tv