Askush nuk përjashtohet nga përdorimi i Trafikut Urban falas (VIDEO)

Askush nuk përjashtohet nga përdorimi i Trafikut Urban falas (VIDEO)

NULL NULL
2 muaj më parë

Nga nesër e deri më 31 dhjetor autobusët e Trafikut Urban do të bartin udhëtarët pa pagesë, krejt kjo si lehtësim nga komuna e Prishtinës për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Në një intervistë në Edicionin Special në Klan Kosova, menaxheri i Trafikut Urban, Kujtim Bërbatovci, dha detaje shtesë rreth aplikimit të këtij vendimi.

“Që nga nesër të gjithë qytetarët mund të shfrytëzojnë të gjitha linjat e Trafikut Urban pa pagesë. Konduktorët tanë që nga nesër në mëngjes nuk do të pajisen me arka fiskale, mirëpo do të mbajnë rendin në autobusë që qytetarët të respektojnë masat antiCOVID dhe që mos të ketë numër të madh të udhëtarëve sesa që është e lejuar, pra mbi 25 udhëtarë”.

“Nga ky vendim nuk përjashtohet askush, çdo qytetarë që përdorë transportin urban nuk do të paguaj biletë që nga nesër dhe kjo do të vlejë deri më 31 dhjetor”, deklaroi Bërbatovci.

Bërbatovci mes tjerash tha se nuk do të ketë autobusë shtesë pas këtij vendimi.

“Linjat do të jetë të rregullta si gjithmonë që kanë qenë, kemi autobusë të mjaftueshëm për këto linja”.

“Besoj që qytetarët të kuptojnë kapacitetet e linjave dhe numrin e udhëtarëve që lejohen të jenë në autobus”.

“Jemi në kohë pandemie dhe vështirësitë ekonomike tek çdo qytetarë dhe çdo familje janë rritur, besoj që ky vendim do të ketë ndikim në ruajtjen e xhepit të qytetarëve që shfrytëzojnë transportin publik”.

Propozimi ishte që udhëtarët të udhëtojnë për katër muaj pa pagesë, Bërbatovci tregon se pse nuk u mor ky vendim.

“Ne do ta respektojmë vendimin e kryetarit të komunës, i cili sot ka sqaruar se për çfarë arsye është bërë vetëm për një muaj. Ne do të respektojmë vendimin e kryetarit që vlen vetëm për një muaj”.
Bërbatovci mes tjerash tregoi se çfarë duhet të bëjnë udhëtarët që veçse kanë qenë të pajisur me bileta mujore.

“U kërkojmë falje të gjithë qytetarëve që kanë nxjerr bileta mujore më herët dhe tani që transporti publik do të jetë pa pagesë. Mirëpo, të gjithë ata që sot kanë nxjerrë bileta mujore kanë kohë që gjatë gjithë javës të vijnë dhe të bëjnë kompensimin. Ndërsa qytetarët që më herët kanë nxjerrë biletat mujore pas datës 31 dhjetor mund të vijnë dhe të kompensojnë ditët që u kanë mbetur pashfrytëzuar nga bileta mujore”.

Kujtojmë se ky propozim ka ardhur nga asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës që mori shumicën e përkrahjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës.