Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Artur Gorishti: Merr Frymë si regjisor

NULL NULL
04.11.2015 18:30

“Breath” është filmi me metrazh të shkurtër, konkurrues në TIFF, që e sjell për herë të parë aktorin Artur Gorishti si regjisor. Pas premierës në kinema “Millenium” ditën e diel, ai rrëfen projektet e ardhshme që e lidhin me kinemanë. Një triptik filmash të shkurtër dhe skenari i një filmi të gjatë. Me rikthimin e tij në Tiranë, ka vendosur të shfaqë edhe një tjetër dimension…pikturën. Fundi i nëntorit e gjen me ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve

Nga Suadela Balliu

I rrethuar nga një grumbull peshqish të ngordhur, një shkulm ajri që mbush mushkëritë e një djali të vogël me frymë pas një zhytjeje në thellësitë e Karaburunit, është jeta e shpërfaqur në poetikën e saj…Pikërisht këtë ka dashur të sjellë Artur Gorishti në filmin me metrazh të shkurtër që e sheh për herë të parë si regjisor. “Breath” u shfaq premierë për publikun ditën e diel në kinema “Millenium” në kuadrin e Tirana International Film Festival, i cili mban edicionin e tij të 13-të.

Jeta dhe vdekja. Vetëdija dhe pavetëdija. Guximi dhe frika ndaj jetës…Një metaforë që regjisori Gorishti e ka sjellë në sytë e një fëmije, që rritet brenda një nate e bashkë me rritjen ndryshon edhe kuptimin për jetën.

“Më ka mbetur ndjesi nga fëmijëria sikur brenda një nate më ka ndryshuar mendimi për të gjithë botën, për jetën. Dhe kam dashur t’i mbahem kësaj; në një moment, papritur ne rritemi. Dhe po në këtë moment edhe kur plakemi mbetemi po fëmijë. Është një rotacion. Dhe nuk e di pse e kisha si shkreptimë këtë…”- rrëfen Artur Gorishti mbi idenë e këtij filmi të shkurtër, të cilin e ka realizuar vitin që shkoi.

Filmi është një metaforë, rrëfen ai. “Kur bëhet një film metaforik, nuk mund të bëhet metaforë për hir të metaforës. Ajo duhet të dalë nga një moment aq konkret sa të jetë i padukshëm”- vijon Gorishti duke thënë se konkretja në filmin e tij vjen në momentin kur djali- i interpretuar nga Andi Shaska –ndjen sesi një nga peshqit që i ati- i interpretuar nga vetë Gorishti- i jep për të shpërndarë nis e dridhet në duar…

Një plan detaj i syve të peshkut që përpëlitet në frymën e fundit të jetës dhe thirrja e dëshpëruar e një fëmije që i thotë peshkut “Merr frymë!” ndërsa e mban nën shi, të bën të kuptosh vlerën e paçmuar të jetës.

Për regjisorin gjithçka është frymë, e për pasojë jetë.

“Frymë peshku, frymë i ati, frymë vetë djali kur zhytet në ujë për peshkim. Për djalin dhe vetë autorin çdo gjë ka rëndësi; babai, djali dhe peshku, Të tre kam dashur t’i vë në baraspeshë.

Gjen ide panteiste, ambientaliste, mbi vdekjen, shkatërrimin e faunës dhe florës… Në fund të fundit autorit bën një gjë, pastaj shikuesit gjejnë gjëra të tjera që ndoshta unë as i kisha menduar”- thotë Gorishti.

Me rritjen, të cilën regjisori e sjell përmes djalit, kuptojmë se jo çdo gjë është gëzim.

“Fëmija që aq shumë e do peshkun, nis e vritet kur kupton sesi është jeta. Gëzim e hidhërim bashkë. Momenti ku pafajësia thyhet nga disa kompromise që ne bëjmë në jetë për të pranuar edhe të keqen, ashtu siç është. Kjo është rritja. Dhe ky film këtë trajton; momentet kur ne nuk pranojmë ta mirëpresim çdo gjë në jetë, aty kemi thyerje”.

Subjekti mbështetet mbi një prej tregimeve të librit “Dyert” të shkruar nga Artur Gorishti, botuar në vitin 2013 nga “Zenit”./Mapo

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.