Arti për të kuptuar vdekjen - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Arti për të kuptuar vdekjen

NULL NULL
15/05/2015
Felix Gmelin, Artisti nga Stokholmi tregon veprat që ngrihen mbi konceptin e shkatërrimit. Një gjetje që nis nga udhëtimi personal për të kuptuar vetëvrasjen e të atit ditën e dasmës të të birit .

“Për mua një imazh është reflektim i shkatërrimit”, Pablo Pikaso shprehej kështu teksa kërkonte të shpjegonte tablotë ku ravijëzoheshin subjekte pa formë. Me këmishat e tij të bardha, artisti kërkonte ta shihte shkatërrimin si forma mbi të cilën ndërtoheshin imazhet. Në fund një histori, merr jetë nga e shkuara që mbart. Felix Glemin, artist i lindur në Gjermani, por që prej vitesh është zhvendosur për të jetuar në Stokholm, disa vite më parë u end të shpjegonte në një koncept të ri artistik thënien e Pikasos. “Art vandal” quhej puna e tij, e cila u ekspozua menjëherë në Saatchi Galeri, dhe ngriti pikëpyetje mbi revolucionet. Gmelin u përqendrua në energjitë që fshihnin aktet e shkatërrimeve revolucionare në histori. Shkatërrime të ndodhura në hapësira publike, për t’i vendosur më pas në muze apo galeri të njohura arti, që në fund ngrinin pyetje mbi atë çfarë mbart e vërteta historike. “Një ditë e gjeta veten duke i bërë një pyetje sesi historia erdhi dhe u bë pjesë e krijimeve të mia”, thotë ai i ulur në një bar të Tiranës, pasi këto ditë ishte pjesë e eventit “Tirana Open 1″, me një video. Në dy rrugë, në qytete të ndryshme dy njerëz që vraponin duke mbajtur në dorë një flamur. Nacionalizmi duket se nuk është një nocion i cili shprehet hapur vetëm në Ballkan, por ngacmon dhe një artist si Glemin. Postmodernizmi ka ndryshuar konceptin për të shkuarën, por për Felix e shkuara do të jetë gjithnjë referuese për artin. “Historia nuk ka mbaruar, çdo gjeneratë vendos  diçka në kohën që jeton”, thotë ai. Në Shqipërinë e ish-diktaturës së Hoxhës, ai e sheh të tashmen më të fortë se të shkuarën. Duket sikur vetëm simbolet apo kujtesa janë ato që tregojnë atë çfarë ka ndodhur me këtë vend. Vrapimi me të cilin njerëzit kanë kapur të tashmen, duke u zhvilluar në drejtime të ndryshme tregon se pulsi i kohës ecën shumë shpejt. Detyra e artit është të vëzhgojë këtë rrahje pulsi, dhe të bëjë të ndiesh. Por Felix nuk mund ta shohë historinë të shkëputur nga historia tjetër personale e çdonjërit prej nesh. Është imazhi i një burri në jetën e tij, i cili i shfaqet shpesh me misterin që përfshin gjithë portretin e tij. Nevoja për ta kuptuar këtë mirazh që është aq i fortë, dhe i pranishëm, e ka çuar atë të ketë një koncept ndryshe nga Frojdi për shkatërrimin.

Felix-art-per-te-kuptuar-vdekjen-3

Ky portret është portreti i babait, regjisor dhe kineast i njohur gjerman, i cili ditën kur i biri vuri kurorë, vendosi t’i bënte dhuratë vetëvrasjen e tij. “Përtej dhembjes këtë gjest e kam marrë si një mesazh që ai donte të më jepte pikërisht në ditën time më të bukur. Unë nuk jam rritur me të, pasi prindërit e mi u ndanë herët”, thotë Felix. Kohë më pas, teksa realizonte videot e njohura të tij kundër dogmave dhe revolucionit, ai do të kuptonte se nuk ishte duke bërë një film për të shkuarën, por një film për historinë e tij. Në vitin 1968, babai i tij si shumë intelektualë gjermanë u përfshinë në lëvizjen studentore që do të çonte më pas në krijimin e opozitës jashtëparlamentare. Një lëvizje për një Gjermani të hapur, e një botë mbi të cilën ecën sot ekonomia apo kultura e një prej vendeve më të fuqishme. “Kam takuar shumë njerëz, ish-studentë të tim eti, miq të tij që më duhej t’i pyesja për vitet ’68-të dhe teksa shihnin ndërtimin e videos ata më thoshin se ti nuk je duke bërë një film për revolucionin, por një film për babanë tënd”, thotë Felix. Në mënyrë inkoshiente një bir po shkonte larg në kohë për të qetësuar zemërimin e thellë brenda vetes, për të atin. Ai donte të kuptonte se çfarë e kishte shtyrë atë, një intelektual të kohës, një artist të merrte këtë vendim pikërisht në ditën e dashurisë të së birit. Nevoja për të kuptuar të shkuarën nuk ndodh vetëm me individët, por dhe me kombet.

Felix-art-per-te-kuptuar-vdekjen-4

Ky është thelbi që Felix fokuson në veprat e tij, përmes një rrugëtimi të ndjerë personal. “Kam pasur mundësi të shoh shënimet e tij, ta shoh përmes bisedave me miqtë apo filmave që ka realizuar, duke njohur dimensionin e një njeriu që nuk është vetëm im atë, por Gjermania e viteve ’70-të. Në të gjithë botën, revolucionet janë bërë nga intelektualët. Ata janë qeniet më të ndjeshme që shtyjnë procese”, thotë Felix. Ashtu si Pikaso e shihte shkatërrimin si një formë për të bërë art, dhe revolucionet shkaktuan jo pak pasoja për të mbërritur te ky zhvillim i sotëm. Asgjë nuk mund të vijë me heshtjen, pa lëvizje të komanduara nga mendja, thotë Felix, i bindur se nëse i duhej të dëgjojë historinë e revolucionit antikomunist shqiptar, nuk ndryshon shumë nga ai kulturor në Kinë, apo Gjermani.

Felix-art-per-te-kuptuar-vdekjen-1

 

Sigurisht që të qenët një piktor, i bën videot e tij më të ndjera e të mos mungojnë ngjyrat. Lidhja me videon si një disiplinë më e fortë ku ndërthuret imazhi dhe zëri e bën të ndihet më i fortë në përcjelljen e idesë artistike. Ai mund të pikturojë nudo, dhe mund t’i flasë gjatë studentëve të tij në Akademinë e Arteve në Stokholm mbi rëndësinë e imazhit, por nuk mund të rrijë pa vënë theksin te rëndësia e brendësisë, asaj që vjen nga thellë brenda secilit prej nesh dhe i jep jetë një tabloje, apo një videoje. Pasi pavarësisht sa shumë ecin disiplinat, dhe se si rëndësia e ngjarjeve minimizohet në kohë, Felix u përket atyre artistëve që besojnë deri në fund te diçka që rreh thellë në kraharor. “Në perëndim të flasësh për dashurinë është diçka e komplikuar”, thotë ai, dhe pse është i bindur se punët më të mira, ato që e bëjnë publikun të ndalet para tyre gjatë dhe ta shohin pafundësisht, janë ato që kanë brenda këtë forcë të padukshme, por shumë të fortë në jetën e njeriut, marrë nga gazeta shqip.