Lajmet e fundit

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Gjilan, nën dyshimin se si pjesë e një grupi kanë kryer disa vepra penale të vjedhjes së rëndë në rajonin e Gjilanit, ndërsa dyshohet se janë të përfshirë edhe në raste të tjera në Kosovë.
Sipas Policisë, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, kanë zhvilluar një hetim të gjatë dhe intensiv, i cili ka rezultuar me arrestimin e tre të dyshuarve.
Dy prej të arrestuarve janë shtetas të Kosovës, ndërsa njëri është shtetas i Shqipërisë.
Gjatë hetimit, Policia ka realizuar bastisje në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë sekuestruar prova dhe pajisje që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.
Në mesin e sendeve të sekuestruara janë pajisje për komunikim dhe maskim, si dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për hapjen me forcë të dyerve, kasafortave dhe objekteve të tjera.
Një person tjetër, i njohur për Policinë dhe i dyshuar se ka qenë pjesë e grupit, është identifikuar dhe është vënë në kërkim policor me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të tij.