Arrestohen për sulme dhe plaçkitje ndaj të kthyerve - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Arrestohen për sulme dhe plaçkitje ndaj të kthyerve

NULL NULL
20/05/2015
Ministri për Komunitete dhe Kthim Dalibor Jevtiq ka lavdëruar veprimin e Policisë së Kosovës në Klinë, të cilët kanë arrestuar personat të cilët kanë kryer një seri incidentesh në muajin e kaluar, në të cilat ata kanë grabitur dhe sulmuar fizikisht të kthyerit në Klinë dhe fshatrat përreth.

“Ky është një lajm shumë i mirë, si për mua ashtu edhe për institucionin që unë drejtoj, i cili kujdeset për të kthyerit. Ky është një lajm i mirë, sepse na jep shpresë për një të nesërme më të mirë, dhe për shkelësit dërgon një mesazh të qartë se askush që bën çfarëdo lloj vepre krimi nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”, ka deklaruar Jevtiqi.

Ai ka theksuar se takimet dhe kontaktet e përhershme me përfaqësuesit e pushtetit lokal të Klinës dhe policisë në Klinë, dhe premtimet e tyre për të punuar në zbulimin e autorëve të incidenteve, kanë dhënë rezultat.

“Kjo është për t’u lavdëruar dhe unë i falënderoj ata”, ka thënë Jevtiq, duke shtuar: “Mesazhi i qartë, i cili është dërguar me arrestimin do të na ndihmojë jo vetëm neve të cilët punojmë në procesin e kthimit, por edhe të gjithë ata që kanë interes në kthimin e të zhvendosurve që të jetë i qëndrueshëm, por se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësia, të jetë në një nivel të lartë”.

Me iniciativën e Jevtiqit dhe të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq është marrë vendim që për të kthyerit në Klinë të kujdesen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb. Pritet që në periudhën e ardhshme në Policinë e Kosovës në rajonin e Pejës të punësohen më shumë serbë dhe në këtë mënyrë të sigurohet prania dhe puna afatgjata e policëve pjesëtarë të komunitetit serb në këtë rajon të Kosovës, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit.

Policia e Rajonit të Pejës sot gjithashtu e konfirmoi arrestimin e shtatë të dyshuarve për incidentet në Klinë dhe Istog.