Lajmet e fundit

Dy shtetas të huaj janë arrestuar në Shkodër, pasi u kapën duke transportuar kundrejt pagesës katër shtetas nga Afganistani, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi.
Operacioni i koduar “Transit 2” u finalizua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe kontrolleve për goditjen e rasteve të ndihmës ndaj emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit, shkruan rtsh.al, transmeton klankosova.tv.
Në pranga përfunduan shtetasi azerbajxhanas M. A., 59 vjeç, dhe shtetasi turk C. D., 36 vjeç. Policia i ndaloi në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit, teksa udhëtonin me një automjet, ku C. D. ishte drejtues dhe M. A., pronar i mjetit, pasagjer. Gjatë kontrollit u konstatuan katër shtetas nga Afganistani, të cilët, sipas Policisë, po transportoheshin kundrejt pagesës me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror drejt Malit të Zi. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i plotë:
DVKM Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Transit 2”, goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas të huaj, të cilët u kapën duke transportuar me automjet 4 shtetas nga Afganistani, që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në Malin e Zi. Sekuestrohet automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Transit 2”.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetasi azerbajxhanas M. A., 59 vjeç, dhe shtetasi turk C. D., 36 vjeç. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndaluar, në aksin rrugor “Shkodër-Hani i Hotit”, automjetin me drejtues shtetasin C. D. dhe pasagjer shtetasin M. A. (pronar i automjetit), me të cilin po transportonin, kundrejt pagesës, 4 shtetas nga Afganistani, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.