Arrestimet e para të Speciales, spektakël dhe direkt pranga

Arrestimet e para të Speciales, spektakël dhe direkt pranga

NULL NULL
nga Liridon Zeqiri 4 javë më parë

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës javën që shkoi urdhëroi arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa dhe, një ditë pas edhe të drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Që të tre u arrestuan në Prishtinë dhe paskëtaj u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Lidhur me këtë çështje klankosova.tv ka pyetur tek ky institucion nëse paraprakisht ka dërguar ftesë për paraqitje ndaj të dyshuarve, apo ata direkt janë arrestuar.

“Në rastin e Salih Mustafës akuzuari u arrestua në përputhje me një urdhërarrest, urdhër transferimi dhe aktakuzë të konfirmuar të lëshuar nga një gjyqtar i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, është përgjigjur Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.
(    

“Lidhur me Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, ata u arrestuan si të dyshuar, në përputhje me urdhërarrestet dhe urdhrat e transferimit të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

“Për të dy të dyshuarit [Gucati dhe Haradinaj], këto arsye përfshinin një dyshim të bazuar se të dyshuarit ishin penalisht përgjegjës për kryerjen e krimeve kundër administrimit të drejtësisë, si dhe baza të artikulueshme për të besuar se të dyshuarit do të përsërisnin ose do të përpiqeshin të përsërisnin këto vepra penale”.

Pyetur nëse kjo gjykatë do ta vazhdojë praktikën e arrestimeve pa dërguar ftesa ndaj të dyshuarve, Angela Griep është përgjigjur me “No Comment (S’kemi koment.”)

Siç është vepruar në rastet e para, nësë nuk dërgohen ftesa për paraqitje ndaj të akuzuarve në pranga mund të përfundojnë të gjithë të akuzuarit e Speciales.

Para së të ngriteshin aktakuzat kanë qenë qindra ftesa që janë dërguar ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së për t’u paraqitur për intervistim – qoftë si të dyshuar apo si dëshmitarë dhe pothuasje që të gjithë nuk e kanë refuzuar këtë.

Pas nisjes së arrestimeve kanë qenë krerë të lartë politikë në vend që kanë thënë se nuk ka nevojë të ndodhin arrestime pasi që të gjithë do të paraqiten pranë Gjykatës Speciale.

Një tjetër çështje e diskutuar është roli i Policisë së Kosovës si institucioni i parë përgjegjës për çështjen e sigurisë.

Por roli i tyre në rastet e arrestimit të Mustafës, Gucatit dhe Haradinajt nuk ka qenë parësor.

“Ju lutemi t’i adresoheni autoritetit kompetent për rastet”, ka qenë përgjigja e Zyrës për Media të Policisë së Kosovës në pyetjen lidhur me rolin e tyre.

Nga Misioni i EULEX në Kosovë është konfirmuar se ata bashkë me Policinë e Kosovës kanë pasur vetëm rolin asistues.

“Ashtu siç ka njoftuar tashmë Zyra e Prokurorit të Specializuar Salih Mustafa, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë arrestuar nga ZPS-ja, kurse Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) vetëm i ka ofruar mbështetje operacionale dhe logjistike ZPS-së. Këtu përfshihet përdorimi i automjeteve të EULEX-it gjatë operacionit. Policia e Kosovës gjithashtu ka ofruar mbështetje operacionale”, ka thënë për klankosova.tv zëdhënësja e këtij institucion, Donika Berisha.

Berisha ka thënë se në aksionin te organizata e veteranëve të luftës kanë asistuar zyrtarët policorë polakë të EULEX, por që ata arrestime nuk kanë kryer në asnjërin prej rasteve.

“Të premten, Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it, e përbërë nga zyrtarë policorë polakë, si dhe Policia e Kosovës i kanë ofruar ZPS-së mbështetje të përbashkët operacionale. Ka qenë ZPS-ja dhe jo EULEX-i ajo që i ka arrestuar të tre personat”.

“Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it është gjithashtu reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, si pjesë e mekanizmit treshtresor të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë.  Përveç kësaj, Njësia Policore e Specializuar e Misionit kryen patrullime ditore vëzhgimi dhe rregullisht merr pjesë në ushtrime për kontrollimin e turmave dhe trazirave së bashku me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”.

Misioni i EULEX është i gatshëm që edhe në raste të tjera t’i asistojë Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“EULEX-i është i gatshëm që të vazhdojë të ofrojë mbështetje operacionale dhe logjistike për Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara në përputhje me mandatin e tij dhe sipas legjislacionit përkatës të Kosovës”.

Në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës thuhet se policia në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar e ka autoritetin dhe përgjegjësinë për të ushtruar kompetencat që i janë dhënë Policisë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.

“Prokurori i Specializuar, prokurorët e tjerë dhe policia nga Prokuroria e specializuar kanë kompetencë që t’i marrin në pyetje të dyshuarit, viktimat dhe dëshmitarët e mundshëm, të mbledhin prova, të zhvillojnë hetime në vendngjarje, si dhe të urdhërojnë arrestimin e ndonjë personi”, thuhet në ligj.

Por ka qenë Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila në vitin 2017 kishte deklaruar se arrestimet ndaj të dyshuarve do t’i kryej Policia e Kosovës, duke përmendur edhe kompetencat që kanë vetë por edhe paralajmërimin se mund të shkohet përtej tyre.

“Ashtu siç parashihet në Ligj, ne mund të mbështetemi në Policinë e Kosovës, si edhe në cilëndo gjykatë të Kosovës. Gjithashtu, Prokurori i Specializuar mund të vërë në zbatim urdhrat e tij nëpërmjet një force policore brenda Zyrës së tij”.

“Çdo urdhër dhe vendim i Dhomave të Specializuara të Kosovës ku përfshihen edhe kontrollet sekuestrimet dhe arrestimet e të dyshuarve në territorin e Kosovës, duhen zbatuar. Këtë e dikton Ligji. Gjithashtu, në rast se del e nevojshme ne mund të kërkojmë bashkëpunim ndërkombëtar”./Klankosova.tv/