Lajmet e fundit

Një 41-vjeçar shqiptar në Serres të Greqisë dyshohet të jetë arratisur në mënyrë spektakolare, ndërsa transferohej nga burgu i Nigritës drejt spitalit në Serres.
Sipas informacioneve të para, rreth orës 23:30 të së premtes, automjeti i transportit ndodhej në oborrin e spitalit, konkretisht jashtë repartit psikiatrik. Në atë moment, brenda furgonit ndodheshin i burgosuri dhe dy persona, të cilët i përkisnin shërbimit të jashtëm të sigurisë së burgut, raporton media greke “Protothema”.
Në atë çast u shfaqën bashkëpunëtorët e 41-vjeçarit me automjete që ngjanin me ato të policisë. Nga të dhënat e deritanishme nuk rezulton se autorët kishin veshur uniforma policie apo se u paraqitën si pjesëtarë të njësisë speciale të policisë greke (OPKE). Megjithatë, një nga automjetet thuhet se ishte një Nissan Navara, i ngjashëm me automjetet që përdoren edhe nga OPKE-ja, dhe kishte gjithashtu një dritë sinjalizuese të vogël.
Kjo bëri që shoqëruesit e të burgosurit fillimisht të mendonin se bëhej fjalë për policë. Situata ndryshoi brenda pak sekondash, kur personat që ndodheshin në automjet zbritën duke mbajtur kallashnikovë.
Nën kërcënimin e armëve, ata neutralizuan shoqëruesit dhe ndihmuan 41-vjeçarin të arratisej, ndërsa morën edhe armën e shërbimit të një punonjësi të burgut. Më pas hipën në automjetet e tyre dhe u larguan.
Në momentin e arratisjes, brenda spitalit ndodheshin edhe dy të burgosur të tjerë.
Sipas medias greke, i arratisuri është shtetas shqiptar, 41 vjeç, i cili, sipas informacioneve, ishte arrestuar vitin e kaluar nga zyrtarët e Krimit të Organizuar për një rast të tentativës për vrasje në Selanik, në një incident në një mensë, ndërsa dyshohet se ishte i përfshirë edhe në raste që lidhen me armë dhe drogë.
Pas arratisjes, autoritetet lëshuan alarmin dhe nisën kërkime të gjera si për 41-vjeçarin, ashtu edhe për personat e armatosur që morën pjesë në operacionin e organizuar për arratisjen e tij. Deri më tani, ata nuk janë lokalizuar. /Klankosova.tv