Arqimandriti: Të ndryshojë procesi i numërimit të votave - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Arqimandriti: Të ndryshojë procesi i numërimit të votave

NULL NULL
24/05/2015
Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme dhe për Demokraci të Qëndrueshme do të angazhojë rreth 90 vëzhgues afatgjatë dhe 1 mijë vëzhgues afatshkurtër për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Mirela Arqimandriti, drejtuese e projektit, thotë se puna e vëzhguesve ka nisur në fakt qysh më 22 maj ditën e nisjes zyrtarisht të fushatës elektorale.

Në një intervistë për Kosovapress, Arqimandriti shton se monitorimet e para janë bërë dhe po ashtu janë vërejtur edhe shkeljet e para, siç është edhe nisja e fushatës shumë kohë para afatit zyrtar të 22 majit. Ajo sheh me shqetësim edhe lëvizjet e ndryshme të komisionarëve në zonat e administrimit zgjedhor të cilët kanë qenë më parë të trajnuar.

Koalicioni ka vërejtur edhe raste të vakuumit ligjor siç është situata e paraqitur në Kurbin, ku pas dorëheqjes së kandidatit të PD-së, ka mbetur vetëm një kandidat në këto zgjedhje, dhe ai është kandidati i PS-së, ndërkohë që çështja është në Kolegjin Zgjedhor.

Arqimandriti e sheh si risi dhe një hap shumë pozitiv faktin që është respektuar kuota gjinore të paktën për këshillat bashkiakë, megjithëse sipas saj është ende larg te pjesa e kandidateve femra për kryetare bashkie.

Pjesëmarrja e lartë në votime dhe transparenca që duhet të bëjnë partitë për financimin e fushatave të tyre janë dy elementë thelbësore të zgjedhjeve që nëse do jenë në nivelin e duhur, atëherë edhe këto zgjedhje do të shënojnë standarde më të larta për vendin.

Ajo bën thirrje për arritjen e standardeve si e gjithë bota, edhe pse vëren një problem në pjesën e numërimit të votave, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Ndryshe nga ç’ndodh në Mal të Zi, edhe në Serbi, edhe në Maqedoni, por edhe në Kosovë, ku vota numërohet në qendrën e votimit dhe rezultati del menjëherë, në Shqipëri kutitë e votimit transportohen nga qendra e votimit në qendrën e numërimit dhe kjo vonon procesin.

Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme do të monitorojë të tre fazat zgjedhore. Fushatën parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe numërimin dhe për secilën nga fazat, do të ketë konkluzione respektive. Puna e koalicionit ka nisur më 23 maj dhe se vetëm pjesa e transportimit të kutive të votimit, nga qendrat e votimit në qendrat e numërimit nuk do të jetë nën vëzhgim.