Lajmet e fundit

Anëtari i Aleancës, Avni Arifi, i ka quajtur mashtrime tri zhvillimet që ndodhën sot gjatë ditës, e që për protagonistë patën Lëvizjen Vetëvendosje dhe kreun e saj, Albin Kurtin.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se mashtrimi i parë ishte ai për gjoja takimin e Kurtit me presidentin Donald Trump.
“Takimi me Trump. Mashtrim. Nuk ka pas takim Kryeministri me Trump, por një foto. E qysh erdh te fotoja? Vit për vit, në një hotel të New Yorkut, Shtëpia e Bardhë ofron mundësi për krejt krerët e shteteve që marrin pjesë në Asamblenë e OKB-së të bëjnë një foto me Trumpin dhe Zonjën e Parë. Edhe Obama, edhe Bideni i praktikonin këto. Vitin e kaluar, me orë të tëra kanë pritë 144 burra të shteteve për një foto. As nuk kishte takim e as nuk ishte temë NATO”, tha Arifi, raporton Klankosova.tv.
Sipas tij, edhe deklarimi i deputetes së LVV-së, Arbërie Nagavci, se partia e saj nuk ka gisht në shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është “mashtrim”.
“VV nuk ka gisht në shkarkimin e Blerim Isufajt, tha Nagavci. Mashtrim. Kjo është me rrejt pa të ardhë marre hiq”, deklaroi kandidati për deputet.
Ndërsa edhe takimin mes Kurtit dhe homologut të tij nga PDK-ja, Bedri Hamza, Avni Arifi e quajti “mashtrim” dhe “takim i filmave të Kurtit”.
“Takimi me Hamzën, takim i filmave të Kurtit. Mashtrim. S’ka ligj prej Kurtit, s’ka as President. Ka sipas të gjitha gjasave kërkesë nga VV te Gjykata Kushtetuese për atë se kush i dekreton zgjedhjet, ashtu siç tha Albulena Haxhiu”, përfundoi Arifi.