Lajmet e fundit

Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Mitrovicë ka anuluar ekskursionin e maturantëve të Shkollës së Mjekësisë, i cili ishte planifikuar të nisej të mërkurën në mëngjes.
Drejtoresha e Shkollës së Mjekësisë "Dr. Xheladin Deda", Drita Qamili, ka deklaruar për Klan Kosova se deri më tani nuk janë në dijeni për arsyet e anulimit, pasi shkolla ende nuk ka pranuar njoftim zyrtar me shkrim nga DKA-ja.
Për këtë çështje, drejtuesit e shkollës kanë zhvilluar një takim paraditen e sotme me zyrtarë komunalë për të gjetur një zgjidhje.
Kështu raportoi gazetari i Klan Kosova, Kastriot Tahiri, i cili po qëndron sot në Mitrovicë.
“Që nga fillimi i orarit zyrtar të punës, drejtuesit e shkollës së Mjekësisë në Mitrovicë kanë ardhur në Komunë për t’u takuar me drejtorin e Arsimit, ku palët i kanë vendosur në peshore arsyetimet dhe argumentet për të treguar se cila ka të drejtë e cila jo në vendimin që është marrë për anulimin e ekskursionin e klasave të 12-ta për në Shqipëri”.
“Anulimi është bërë mbrëmë pasdite, rreth 1 orë pasi ka përfunduar orari zyrtar i Komunës, mirëpo më shqetësuese se fakti për anulimin është vendimi që ka marrë Komuna e që daton 20 ditë më herët para se të dihej edhe operatori ekonomik”.
“Kështu po pretendojnë edhe shkollat të cilat kanë ardhur për të sqaruar këtë gjë në zyrën komunale të Arsimit, për të mësuar se cilat janë shkeljet ligjore që po pretendohen nga DKA që i ka bërë shkolla”, tha Tahiri.
Drejtori i Arsimit në Mitrovicë ka thënë shkurt për Klanin se “shkolla ka shkelur ligjin duke zgjedhur operatorin ekonomik më të shtrenjtë dhe duke mos i përfillur ofertat tjera me çmim më të lirë”.
Megjithatë, gazetari Tahiri tha se e drejta për përzgjedhjen e operatorit ekonomik është ekskluzive e shkollave, gjë që ua garanton edhe Udhëzimi Administrativ që lejon mbajtjen e ekskursionit për përfundimin e shkollës së mesme.
Tahiri tha se mund të ketë nisje të nxënësve pasditen e sotme, por shtoi se nuk dihet nëse Komuna do të lëshojë pe apo do të jetë e qëndrimit që vendimi të anulohet dhe të shpallet sërish konkursi për përzgjedhjen e një operatori tjetër ekonomik, pasi 175 euro, sipas drejtorit të Arsimit, janë të papërballueshme për ekonomitë familjare në Kosovë.